E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj: Rekrutoni pedagogë të kualifikuar



Raporti studentë-pedagogë duhet të ndryshojë. Pas deklaratave të kreut të Qeverisë Berisha, Ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, mblodhi dje rektorët për të diskutuar këtë problem. “Ky ndryshim i raportit na kushtëzon në përcaktimin e kritereve të reja për stafin pedagogjik. Ministria e Arsimit dhe Shkencës në bashkëpunim me të gjithë rektorët e Universiteteve, do të ndërmarrin ndryshimet e nevojshme të kuadrit ligjor. Duhet t’i japim përparësi rekrutimit të pedagogëve, dhe sidomos edhe atyre të rinj” - tha ministri Tafaj. Më pas, kreu i Arsimit u ndal në veçanti në reformën e ndërmarrë, në fushën akademike dhe shkencore të vendit. Ai vlerësoi se reforma në botën akademike duhet të thellohet më tej, dhe kërkimi shkencor duhet të jetë atribut i fakulteteve dhe dekanateve. Tafaj theksoi se një rëndësi të veçantë në kërkimet shkencore zë fondi i kërkimeve dhe përdorimi i tyre. Ai diskutoi me rektorët edhe mbi procesin e renditjes së Universiteteve, duke i dhënë kështu komunitetit të studentëve dhe prindërve një pasqyrë të saktë të vlerësimit të Universiteteve publike dhe private në vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›