E Diel, 1 Nëntor 2026

Spahiu akuza gjyqtarëve të Vlorës: Abuzim me çështjet



VLORE/ QEMAL BIRAKU

Standarde dyfishe në gjykimin e çështjeve. Nënkryetari i KLD-së, Kreshnik Spahiu foli dje me tone të ashpra gjatë analizës vjetore të gjykatave në Vlorë, asaj të Apelit dhe të Faktit.Përplasje vendimesh nga gjykatat e rretheve me ato të Apelit, ndryshim masash sigurie kur bëhet fjalë për zyrtarë, e vonesa gjatë procedimeve, ka deklaruar Spahiu. Duke shfrytëzuar mbledhjen me togat e zeza, nënkryetari i KLD-së është shprehur se një numër i madh ankesash kanë mbërritur në këtë Këshill në adresë të gjykatave të Vlorës. Ai nisi kritikat në lidhje me procesin e dënimit, kur në raste të njëjta e kushte të njëjta, gjykata e Faktit apo e Apelit kanë dhënë vendime të ndryshme. “Ankesat janë për gjykime të zvarritura, për masa sigurimi apo për gjykime që pushohen për 5 minuta vonesë (kur edhe ora e dorës ndonjëherë nuk sinkronizohet për të matur 5 minutëshin) apo pushohen sepse pala ka ‘ngatërruar’ datën”, u shpreh Spahiu. Në fjalën e tij, numri 2 i Këshillit të Lartë të Drejtësisë pohoi se gjykatat e Vlorës hyjnë ndër ato më të mëdhatë në shkallë vendi, kryesisht ajo e Apelit, e cila shqyrton ankimimet që vijnë dhe nga rrethe të tjera, si Lushnjë, Berat e Fier. Spahiu ka theksuar rastet e ndryshimit të masave të sigurisë, sidomos kur bëhet fjalë për akuza që rëndojnë ndaj funksionarëve të shtetit. “Dua të shtroj një shqetësim të ngritur nga disa gjykata të shkallës së parë lidhur me politikën penale tek masat e sigurimit. Duket sikur politika penale e juaj është më e butë sesa ajo e gjykatave të shkallës së parë. Të themi gjykata e Lushnjës është ‘ankuar’ se masat e sigurimit ‘arrest me burg’ lidhur me veprën penale të shpërdorimit të detyrës nga funksionarë publikë, nga gjykata e apelit janë ndryshuar në ‘arrest shtëpie’ ose ‘detyrim për paraqitje. Po kështu nga analiza e gjykatës Fier kemi konstatuar se ndër vendimet e ankimuara lidhur me caktimin e masës së sigurimit ‘arrest me burg’ më shumë prej tyre janë ndryshuar sesa janë lënë në fuqi”. Bazuar në të dhëna, Spahiu citoi se, në Gjykatën e Apelit, vitin e shkuar u shqyrtuan gjithsej 617 vendime penale, prej të cilave u lanë në fuqi, 279 vendime, duke u ndryshuar 116 prej tyre, kthyer për rigjykim ose prishur 25 vendime, e duke mos u pranuar 165 të tjera. Vonesat e zvarritjet e proceseve gjyqësore javë vënë në qendër të kritikave, ku duke përmendur të dhënat, Spahiu deklaroi se janë të shumta çështjet që zvarriten më shumë se 6 muaj. Pas fjalës së Spahiut mësohet se gjyqtarët e pranishëm kanë reaguar, duke u shprehur se vendimet janë dhënë në bazë të ligjit. Ndërsa zvarritjet janë cilësuar për shkak të mungesës prej një kohe të gjatë të 3 gjyqtarëve, çka ka sjellë mbingarkesë për të tjerët.

Akuzat e Spahiut për Gjykatat

Vonesa në përfundimin e çështjeve Zvarritje të gjykimeve Pushime të gjykimeve brenda 5 minutash Për të njëjtat vepra penale e kushte të njëjta jepen dënime të ndryshme, si nga Fakti dhe nga Apeli Zbardhja me vonesë e vendimeve të Apelit Ndryshime të masave të sigurisë nga Apeli, nga burg në arrest shtëpi e detyrim paraqitjeje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›