E Diel, 1 Nëntor 2026

PPE-të: Rama të ndërpresë urgjent grevën e urisë

Partitë Popullore Evropiane të djathta i kërkojnë kreut të PS-së, Edi Rama, që të ndërpresë urgjentisht grevën e urisë e të lejojë deputetët socialistë që t'i kthehen jetës parlamentare. Deklarata e përbashkët e PPE-ve vjen menjëherë pas takimit të komitetit ndërparlamentar Shqipëri-BE dhe është firmosur nga 7 anëtarë, mes të cilëve edhe presidenti i grupit të PPE-së, Martines, dhe ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini. Partitë Popullore Evropiane mbështesin fuqimisht Kryeministrin Berisha, qeverinë dhe hapat e hedhur drejt anëtarësimit të saj në BE. Ato i bëjnë thirrje opozitës dhe PS-së të pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të certifikuara nga KQZ-ja, Kolegji Zgjedhor, Gjykata e Apelit dhe vëzhguesit ndërkombëtarë. Partitë Popullore Evropiane e konsiderojnë qëndrimin e opozitës për të hapur kutitë si një situatë për të ardhur keq. Kjo dëmton zbatimin urgjent të reformave ekonomike dhe demokratike, - theksohet në deklaratë, duke shtuar se PPE-të i kërkojnë opozitës të respektojë plotësisht Kushtetutën dhe zbatimin e ligjit, përfshirë vendimet e gjykatës dhe KQZ-së. PPE shprehin shqetësim për thirrjen e zotit Rama për grevë urie pas bojkotit që tregon vendosmërinë e tij për të zgjatur konfliktin me mjete të papranueshme pavarësisht propozimeve të shumicës për të arritur kompromis. PPE besojnë se pjesëmarrja e opozitës në Parlament është esenciale për një dialog konstruktiv në një demokraci parlamentare. "Këmbëngulim që një dialog i tillë mes opozitës dhe mazhorancës duhet të kryhet vetëm në Parlament. PPE-të kërkojnë fuqimisht që opozita të ndalë urgjentisht bojkotin dhe të nisë një dialog të përgjegjshëm e konstruktiv brenda Parlamentit", - thuhet në deklaratën e PPE-ve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›