Agron Duka, kandidat për kreun e degës së PS-së
Protestojnë socialistët: Greva e urisë, turp për imazhin e vendit
Dhjetëra socialistë nga baza e kësaj partie në Durrës kanë ngritur dje zërin e tyre të kundërshtimit ndaj grevës së urisë, duke debatuar në zyrat e selisë lokale me mbështetësit e pakët të Ramës. Madje, pas debateve nuk kanë munguar edhe përplasjet fizike mes tyre. Ata bashkë me disa prej anëtarëve të kryesisë së degës dhe disa prej sekretarëve të organizatave në plazh, dhe lagjet 18, 4, 7, dhe disa komunave, kanë ardhur dje paradite në degën qendrore në Durrës, duke kundërshtuar ashpër grevën e urisë. Duke folur për mediat, ata deklaruan se greva pikësëpari është turpi i politikës që po ndjek Rama, nuk është parë asgjëkundi të futen gra në çadra dhe greva urie, aq më tepër kjo po prish imazhin e Shqipërisë në prag të heqjes së vizave dhe integrimit në BE. Prej gati 2 vitesh, dega e PS-së në Durrës ka mbetur pa kryetarin e saj, kurse kryesia ndodhet e gjitha pothuajse kundër vendimeve të Edi Ramës. Por në degën e PS në Durrës ka zëra, të cilët dje dolën hapur, të cilët u shprehën se ishin për Agron Dukën për kryetar PS-je në qytetin bregdetar. Emri i Agron Dukës, njërit prej ish-deputetëve socialistë dhe ish-prefekti qarkut në vitet 1999-2003, mbetet më i kërkuari nga baza socialiste, duket se do të mbetet krahas atij të Agasit. Të njohur të dy si kundërshtarë të liderit socialist Rama, ata kanë shanset të konkurrojnë në garën për kryetar dege. Protesta e djeshme e kundërshtarëve të kryesocialistit Rama nuk ishte e para dhe as e fundit në degën e Durrësit. Kjo degë njihet për votat kundër vijës politike të Ramës dhe klanit të tij në PS, gjë e cila është prekur dukshëm edhe në zgjedhjet e fundit, por edhe në fushatën e zgjedhjes së kryetarit të degës lokale. Realisht dega e PS-së në Durrës ndodhet pa kryetar dhe pa kryesi, gjë e cila e bën të pamundur dirigjimin e saj nga Rama. Ky i fundit ka mundur të mbushë disa autobusë vetëm me mbështetës nga organizatat e kësaj partie në fshatra e komuna, ku drejtohen nga të zgjedhur socialistë.