PPE trajnon të rinjtë e PD-së
Partitë Popullore Evropiane zhvilluan në Sarajevë trajnimin “Menaxhimi i strukturave politike” me të rinj nga Evropa Juglindore nën moton “Politikanët premtues të së ardhmes” nga partitë e djathta evropiane, ku morën pjesë edhe disa të rinj shqiptarë, anëtarë të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. Shqipëria është përfaqësuar me ish-kandidatin për deputet në qarkun e Elbasanit, Qamil Dika, si dhe nga Dritan Gjyrezi, koordinator i FRPD-së. Sfidat e menaxhimit politik, implementimi i programeve qeverisëse, përfshirja në proceset vendimmarrëse si dhe kontributet individuale kanë qenë ndër temat e seminarit trajnues gjatë 5 ditëve të punimeve në faqen e parë të këtij projekti. “Ky trajnim do të na shërbejë shumë, jo vetëm për të ardhmen personale, por mbi të gjitha për të sjellë një filozofi bashkëkohore në kontributin që të rinjtë duhet të japin në FRPD dhe në politikën shqiptare në tërësi”, - shprehet Dika. Ndërsa drejtuesi i Forumit Rinor të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i pyetur për këtë trajnim, shprehet se është një risi e bashkëpunimit ndërmjet PPE-së dhe PD-së për formimin sa më të plotë të politikanëve të rinj, të cilët nesër do të jenë në shërbim të komunitetit dhe platformës politike të Partisë Demokratike.