E Shtunë, 31 Tetor 2026

Praktika profesionale, Pollo: Tani, deri në tre vjet



Ministri i Shtetit, Genc Pollo, deklaroi dje në Komisionin parlamentar të Punës dhe Shëndetësisë se praktika profesionale para provimit të marrjes së licencës së profesionit do të jetë deri në tre vjet. “Kusht tjetër për të ushtuar profesionin është një praktikë profesionale që mund të zgjasë gjashtë muaj deri në tre vjet”, - deklaroi Pollo. Ministri iu referua projektligjit të ri për profesionet e rregulluara ku ai shpjegoi provimin që të diplomuarit duhet të kryejnë për marrjen e licencës së ushtrimit të profesionit. “Thelbi i këtij ligji është Provimi i Shtetit, pra mund të marrësh diplomën në universitet, por me këtë vetëm të çelet rruga drejt ushtrimit të profesionit si titullar. Provimi i Shtetit organizohet nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ministrinë e linjës p.sh. me Ministrinë e Shëndetësisë për mjekët e farmacistët. Por, gjithsesi, anëtarët e KOMKOV (Komisioni Kombëtar i Vlerësimit) janë profesorë universitarë të fushës përkatëse. Në këtë mënyrë shteti del garant për aftësitë e njohuritë të atij që do të jetë mjek, dentist, infermier, farmacist, inxhinier etj. Pra, cilado të ketë qenë cilësia e diplomës, është diplomë e lëshuar në Tiranë apo jashtë kryeqytetit, në universitet publik apo privat, tashmë filtri është unik për të gjithë vendin dhe quhet Provim i Shtetit”, - deklaroi Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›