PR: Marrëdhëniet me PD s'i prishim për Topallin
SHKODËR - Qendrim personal e të pabazë e ka quajtur kandidati për deputet i Partisë Republikane në Qarkun Shkodër, Neritan Alibali, deklaratën e nënkryetares të Partise Demokratike Jozefina Topalli, e cila para dy ditesh bëri thirrje për të mos votuar asnjë parti tjetër përveç PD-së. Sipas Alibalit deklarata e Topallit bie ndesh me marrëveshjen e nënshkruar me 21 mars të këtij viti mes Partisë Demokratike dhe Republikane nga kryetaret e këtyre forcave politike, Sali Berisha dhe Fatmir Mediu. Alibali ka theksuar se PR do ti përmbahet marrëveshjes dhe do të vazhdojë të bashkëpunojë me PD, pavarësisht qëndrimeve personale. "Partia Republikane mbetet e vendosur që të repsktojë marrëveshjen me PD-në dhe Kryeministrin Berisha dhe të shohë përpara pa u ndalur me qëllim fitoren e së djathtës, dhe kjo parti do jetë sërish pjesë e koalicionit qeverisës me në krye Sali Berishën" ka thënë Alibali.
******
Topalli, akuza PR-së: Republikanët, mafiozë e kontrabandistë
Shënohet përçarja e parë publike mes PD-së dhe PR-së. Topalli akuza PR-së. Reagon kryetari i PR-së së Shkodrës: PD-së nuk i vjen e keqja nga PR
SHKODËR - Në prag të zgjedhjeve parlamentare, Partia Demokratike shënon përçarjen e parë publike me partinë kryesore të koalicionit, PR. Është pikërisht Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e cila nën cilësinë e nënkryetares së PD-së, gjatë një takimi të zhvilluar në fshatin Mes të komunës Postribë, ka akuzuar ashpër jo vetëm PDK-në, e cila nuk është më pjesë e koalicionit të PD-së, por edhe PR-në, për të cilën kryeministri Sali Berisha trumbeton ditë e natë se do të jetë parti qeverisëse.
Gjatë takimit me banorët e këtij fshati, nënkryetarja e demokratëve, Topalli, ka kërkuar që asnjë votë të mos shkojë për partitë e vogla.
"Ne do të këmbëngulim që të marrim aq deputetë sa të qeverisim të vetëm, pa ato partitë e vogla, demokristianë, republikanë etj. Këta janë o spiunë, o mafiozë, o kontrabandistë",- tha Topalli. Nuk ka vonuar edhe reagimi i kryetarit të PR-së së Shkodrës, Namik Kamberi.
"Kam dy vjet që marrëdhëniet me Topallin i kam të ngrira. E respektoj dhe është një nder i Shkodrës, por deklarata e saj është e pavend. Nuk mund të vihet shenjë barazimi mes demokristianëve e republikanëve. Kjo është e pamoralshme.
Ne kemi qenë krah PD-së në kohë të vështira. Nga ajo që dëgjohet në terren, është e qartë se PD-ja nuk arrin të marrë 50% të votave që të krijojë e vetme qeverinë.
Në vitin 1997 kam qenë unë që e kam përkrahur e mbështetur Berishën, ndërsa shumë nga eksponentët e sotëm të PD-së në Shkodër nuk janë dukur. Uroj që deklarata e Topallit të jetë një lapsus, pasi PD-së nuk i vjen e keqja nga PR-ja, por nga partitë e tjera të vogla që lëvizin herë majtas, herë djathtas.
Kam komunikuar disa herë për këtë me kryetarin e PR-së, Mediu, që ka kërkuar të verifikohet një deklarim i tillë, pasi nuk e meritojmë një epitet të tillë",- tha Kamberi. Prej kohësh, vihet re një distancim i Partisë Demokratike nga partitë aleate të saj.
Ndryshe nga PS, ku kryetari i PS-së, Edi Rama, nuk harron të përmendë faktin se PS ka koalicionin fitues, kryetari i PD-së, Sali Berisha, nuk i përmend në asnjë prej deklaratave të tij aleatët, edhe pse disa prej drejtuesve të këtyre partive, ai i ka në qeverisje. Në asnjë dalje publike, Berisha nuk bën thirrje për të mbështetur koalicionin.
Deklarata e parë e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, njëkohësisht nënkryetare e PD-së, tregon qartazi se, koalicioni i PD-së me PR-në është i lidhur për interesa krejtësisht të ngushta dhe nuk pasqyron në të vërtetë një koalicion real mes tyre.