E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topalli s'ndalet: Vota për Lesin dhe Zogajn është votë për PS-në

Nënkryetarja e Kuvendit sulmon një tjetër aleat të Berishës, LDK-në e Lesit. Sipas saj, partive e vogla janë të vdekura politikisht


SHKODËR - Nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli, nuk rresht së kritikuari drejtuesit e partive me të cilët, Kryeministri Sali Berisha, ka lidhur marrëveshje pak kohë më parë.


Pas qëndrimit të ashpër ndaj republikanëve, të cilët i ka cilësuar spiunë, mafiozë e kontrabandistë, Nënkryetarja e Kuvendit ka sulmuar një tjetër aleat, kryetarin e Lidhjes Demokristiane Shqiptare, (LDK), Nikollë Lesi, partia e të cilit, në fletën e votimit, është e radhitur e treta, si rezultat i përfshirjes së partisë së tij në koalicionin "Aleanca për Ndryshim".


Në fshatin Bardhaj të qytetit të Shkodrës, Topalli, gjatë takimit të zhvilluar, ka sulmuar fort, jo vetëm aleatin e PD-së, por Preç Zogajn, i cili kësaj here garon për partinë e Ngjelës, në qytetin e Lezhës.


"Për shkak të sistemit të ri elektoral, disa forca të vogla politike, në mashtrim të plotë, duke thënë se jemi të djathtë e nuk janë aspak të tillë, duke thënë se jemi aleatë me PD-në e në fakt vetëm thikën i fusin PD-së, kërkojnë të marrin vota nga pjesa jonë. Ne nuk i marrim asnjë votë askujt, por nuk i japim asnjë çerek vote askujt.


As Nard Ndokës, as demokristianëve, as Nikollë Lesave, as Preç Zogajve e askujt tjetër, që e quajnë veten me emra si demokristianë, që në fakt as të tillë nuk janë, pasi nuk besojnë askund.


Votat për ta janë vetëm vota për Edvin Ramën, pasi ata kanë lidhje me Edvin Ramën, me bizneset e tyre, me të. Këto parti të vogla janë të vdekura politikisht",- tha Topalli. Duket se qëndrimi i Nënkryetares së PD-së, Jozefina Topalli, nuk është i rastësishëm.


Veçanërisht në qarkun e Lezhës dhe të Shkodrës, që ajo mbulon direkt, po zhvillohet një garë e ashpër partish mes PDK-së e cila pretendon të fitojë një deputet, Nikoll Lesit i cili pretendon të marrë votat e mjaftueshme në Lezhë, po aq edhe Preç Zogajt i cili deri në shtator vazhdon të jetë deputet i PD-së për Lezhën.


Dy ditë më parë, Nënkryetarja e Kuvendit sulmoi ashpër republikanët gjatë një takimi tjetër të zhvilluar po në Shkodër, duke i kërkuar elektoratit të djathtë, që të mos votonte për demokristianët dhe republikanët.


Në qarkun e Shkodrës, marrëdhëniet mes PD-së dhe PR-së, prej dy vitesh kane qenë të ngrira, ndërkohë që përplasjet e fundit kësaj here mes Topallit e cila përfaqëson lidershipin e lartë të PD-së dhe partive të tjera, po me program të djathtë, do të sjellin një tjetër përçarje votash tek e djathta, ku ndryshe nga çdo palë zgjedhjesh, kësaj herë ka rëndësi edhe një votë e vetme.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›