PR: Partia Socialiste duhet të pranojë humbjen
Partia Republikane i kërkoi dje Partisë Socialiste të njohë rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit. Nënkryetari i PR-së, Aleksandër Garuli, bëri me dije se "çdo përpjekje e lidershipit të Partisë Socialiste për të përbaltur zgjedhjet e 28 qershorit, nuk i sjell asnjë dëm politik fituesve legjitimë të këtyre zgjedhjeve, por dëmton drejtpërdrejt imazhin e vendit dhe fyen qytetarinë me të cilën shqiptarët realizuan këto zgjedhje". Garuli shtoi se për Partinë Socialiste do të ishte më dinjitoze dhe më e favorshme që të pranonte humbjen, duke respektuar në këtë mënyrë vullnetin e elektoratit shqiptar. "Pranimi i humbjes reale do t‘i shërbente së pari vetë Partisë Socialiste, duke i dhënë asaj statusin e një opozite konstruktive, për të cilën vendi sot ka nevojë. Në të kundërt është e pamoralshme që klani drejtues i Partisë Socialiste, duke tentuar të qëndrojë me çdo kusht në politikë, me qëndrimin aktual po i krijon kosto të madhe vendit", tha Garuli.