Lesi: Duhet të rinumërohen votat në Qarkun Lezhë
Kreu i Lëvizjes Demokristiane, Nikollë Lesi, kërkoi dje rinumërimin e votave në Lezhë, Mirditë dhe Laç. Rezultatet e KQZ-së nxorën fituese në Qarkun e Lezhës Partinë Demokratike, e cila fitoi 4 mandate deputetësh, ndërsa Partia Socialiste arriti të marrë vetëm 3 deputetë. Beteja më e madhe në këtë qark ishte mes partive të vogla, të cilat nuk arritën dot të siguronin një mandat fitues. Nikollë Lesi, Lufter Xhuveli dhe Preç Zogaj nuk mundën dot të merrnin numrin e duhur të votave për të fituar mandatin e deputetit. Kreu i LDK-së kërkoi dje publikisht që të rinumërohen votat në Mirditë, Laç dhe Lezhë, nga ku Nikollë Lesi pretendon se ka marrë shumicën e votave. Partia Lëvizja Demokristiane ishte në koalicion me Partinë Demokratike dhe pak ditë përpara zgjedhjeve të 28 qershorit, Nikollë Lesi, kreu i LDK-së, firmosi marrëveshjen e bashkëpunimit me kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha.