E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ-ja rrëzon dy pretendimet e fundit për Qarkun e Fierit

Qarku i Fierit, "molla e sherrit" mes dy partive kryesore në vend, u rikthye sërish dje në tryezën e anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për një tjetër precedent që u shënua ditën e zgjedhjeve. Me kërkesë të kreut të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, para anëtarëve u parashtrua kërkesa për të shpallur të pavlefshme tri qendrat e votimit, në të cilat nuk u votua fare, pasi nuk u hapën në KZAZ 19, 3119, 3120, 3121. Kërkesa u rrëzua në raportin e votave 4 me 2, por gjatë shqyrtimit debati devijoi në një tjetër kërkesë, këtë herë nga dy anëtarë të KQZ-së nga e djathta, Vera Shtjefni dhe Hysen Osmanaj. Bazuar te neni 138/3, kur dy anëtarë mund të kërkojnë rinumërim ose rivlerësim. Propozuesit shprehën dyshime për transparencën e procesit në këtë qark, duke shfrytëzuar këtu diferencën PS-PD me 157 vota, por edhe mundësinë që këto tri qendra mund të kishin sjellë një tjetër rezultat. Edhe kjo kërkesë u rrëzua, duke lënë të hapur juridikisht mundësinë ankimimit për në Kolegjin Zgjedhor. Bazuar në nenin 160/1, kreu i KQZ-së, Ristani, ka kërkuar shpalljen të pavlefshme të këtyre tri qendrave të votimit. Pika 1/c e nenit 160 vëren se KQZ-ja, kryesisht ose me kërkesë të subjekteve zgjedhore, i shpall zgjedhjet të pavlefshme në një apo më shumë qendra votimi, në rast se votimi nuk ka filluar apo është pezulluar për më shumë se gjashtë orë dhe për cilindo nga këto shkaqe është cenuar procesi zgjedhor në një masë të tillë që mund të ketë ndikuar në ndarjen e mandateve në zonën zgjedhore ose në shkallë vendi. Ndërsa pika 2 thotë se subjektet zgjedhore, brenda 3 ditëve nga shpallja e rezultatit nga KQZ-ja, ose, sipas rastit, KZAZ-ja, kanë të drejtë të kërkojnë në KQZ shpalljen e pavlefshmërisë së zgjedhjeve në qendra të caktuara votimi. Një prej anëtarëve që kërkoi rinumërim në të gjithë qarkun, Osmanaj, shpjegoi arsyet e kësaj kërkese. "Mandatet në këtë qark ndahen me 157 vota, ndërsa këto tri qendra që kërkohen të shpallen të pavlefshme kanë një numër votuesish më të madh se diferenca që ndan mandatet dhe mos harrojmë që kemi pasur parregullsi. Nëse ne rivlerësojmë dhe rinumërojmë gjithë zonën, kjo do të ndikojë në ndarjen e mandateve", tha ai. Ndërsa anëtari tjetër, Artan Laze, vlerësoi se kërkesa duhej bërë në momentin e duhur ashtu sikundër nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, vlerësoi se kërkesa e dy kolegëve të saj është e vlefshme kur ka një ankimim nga subjektet, ndërsa në rastin konkret çështja është sjellë në vëmendje nga kryetari i KQZ-së. Sa i përket mundësisë së votimit, neni 162 përcakton qartë se në këtë rast nuk mund të ndodhë, pasi kjo zbatohet vetëm në momentin kur këto qendra votimi do të mund të nxirrnin një mandat dhe numri i zgjedhësve është më i vogël se sa vota duhen për të prodhuar një mandat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›