Berisha premton në Belsh se do të 3-fishojë investimet në zonat rurale
Kryeministri Sali Berisha përuroi dje fillimin e punimeve në rrugën Belsh-Kuçovë, një segment me gjatësi 14 km dhe me vlerë 590 milionë lekë. Në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", Kryeministri Berisha zhvilloi dje një takim me banorë të Belshit. Duke u ndalur te përurimi i fillimit të punimeve në rrugën Belsh-Kuçovë, Kryeministri Berisha u shpreh se "ky është një nga segmentet më të rëndësishme të rrugës që lidh Kuçovën me Beratin, ndaj dhe ka qenë një përparësi madhore për këtë qeveri". Për sa i përket investimeve në infrastrukturë, Kreu i Qeverisë u shpreh se në 8 vitet e qeverisjes socialiste, "në 4 komunat e Dumresë dhe në Bashkinë e Belshit, socialistët kanë investuar 29 milionë lekë, ndërsa kjo qeveri ka investuar 1 miliard e 324 milionë lekë në 4 vjet". Në 8 vite socialistët kanë shtruar 2 km rrugë me asfalt, ne kemi shtruar në 4 vite 46 km rrugë”, vijoi më tej Kryeministri Berisha. Kryeministri premtoi para banorëve të zonës se "çdo fshat do të lidhet me asfalt me qendrën e komunës dhe qytetin". Në këtë drejtim, ai i bëri thirrje kryetarëve të komunave që të hartojnë projekte për rrugë, pasi qeveria do t'i financoj plotësisht këto projekte.
11 Maj 2009