PR-ja në koalicion me PD-në, për zgjedhjet e 28 qershorit
Republikanët konfirmojnë qëndrimin
TIRANE - Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dhe anëtarë të kryesisë zhvilluan një takim dje me kryetarët e Asambleve Rajonale dhe kryetarët e Degëve të Rretheve të kësaj partie. Ky takim mbylli procesin e propozimit të kandidaturave për deputet nga degët. Kryesia e Partisë Republikane do të analizojë dhe vlerësojë përfundimisht këto propozime, për të marrë një vendim të plotë në Asamblenë Kombëtare, gjatë tre javëve të ardhshme. Brënda muajit mars, degët e partisë do të sjellin kandidaturat për anëtarë të KZAZ (Komisionet Administrative Zgjedhore). Gjatë këtij takimi, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu theksoi edhe një herë se Partia Republikane është padyshim forca e dytë politike pas Partisë Demokratike dhe kjo reflektohet qartë në të gjitha qarqet me diferencë të theksuar. “Kjo përbën një bazë shumë pozitive për ndërtimin dhe funksionimin e koalicionit” , tha Mediu. “Ne do të jemi në koalicion me Partinë Demokratike. Marrëdhëniet konkrete elektorale si dhe veprimi politik në këto zgjedhje ngelen për t’u përcaktuar së shpejti”. “Ne jemi partia e dytë dhe duhet t’i konsiderojmë këto zgjedhje vendimtare për Partinë Republikane dhe të Djathtën, për të pasur edhe një mandat të dytë qeverisjeje, në rrugën e reformave të suksesshme, forcimin e shtetit ligjor, dhe vazhdimin në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, i dhe reformat e ndërmarra nga koalicioni qeverisës. Këto zgjedhje do të jenë vlerësuese për punën e bërë gjatë qeverisjes së këtyre katër viteve” përfundoi fjalën e tij kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu. Në fjalën e tij, kryetari Asamblesë Kombëtare PR-së, Sabri Godo, përmendi rëndësinë e organizmit për të përballuar me sukses fushatën elektorale si dhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare, si dhe përcaktoi afate kohore lidhur me kandidaturat e për anëtarët e KZZ-ve, në respektim të afateve të Kodit Zgjedhor.
...