E Diel, 1 Nëntor 2026

PR mbyll fushatën në Korçë, Mediu: Punojmë për një Shqipëri të bashkuar me Europën

KORCE- Partia Republikane zhvilloi një takim për mbylljen e fushatës në Korçë. Të mbështetur nga qindra e qindra simpatizantë, kryesia e kësaj Partie, se bashku me kandidatët për deputetë në këtë qytet, zbritën në sheshin kryesor të qytetit, ku në një atmosferë festive, u përcollën mesazhet e fundit për këtë fushatë elektorale në qytetin e Korçës. 

Në fjalën e tij kandidati për deputet Erjon Haruni shprehu entuziazmin në lidhje me ecurinë e kësaj fushate dhe mbështetjen që ka gjetur mes banorëve të Korçës, duke premtuar se do të jetë gjithnjë një derë e hapur për të gjithë ata njerëz në nevojë.

Gjatë fjalës së tij përshëndetëse, kryetari i Partisë Republikane, zoti Fatmir Mediu theksoi edhe një herë vlerat e Aleancës së Djathtë, e cila ka një qëllim të vetëm, siç tha ai, “Të punojë për një komb të bashkuar në Evropën e bashkuar, një komb me mirëqenie dhe dinjitet, siç e meritojnë të jenë shqiptarët”.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›