E Hënë, 2 Nëntor 2026

PR, platformë për votat e emigrantëve

03/02/2005  Partia Republikane do të paraqesë në Parlament një projektligj që do të mundësojë pjesëmarrjen në votime të emigrantëve. Sekretari i Përgjithshëm i PR-së, Aleksandër Garuli, tha dje gjatë një konference për shtyp se, kjo iniciativë është ndërmarrë nga republikanët pas kërkesave të shumta të shoqatave të emigrantëve shqiptarë në vende të ndryshme të botës. Sipas tij, projektligji parashikon përballimin e shpenzimeve të udhëtimit nga shteti për sjelljen e emigrantëve për të votuar. Garuli ka vënë theksin për shqiptarët që jetojnë dhe punojnë në Greqi, ku janë rreth 70 për qind e numrit të përgjithshëm të emigrantëve. Përfaqësuesit e PR-së janë të bindur se shpenzimet mund të përballohen nga të ardhurat konsullore që përfiton shteti nga pagesa e vetë emigrantëve pranë ambasadave tona. “PR-ja e konsideron votimin e rreth 700 mijë emigrantëve në atdhe si një problem madhor kombëtar. Ne mendojmë se emigrantët përbëjnë rreth 30 për qind e votuesve dhe duhet të bëhen realisht pjesëmarrës në proceset politike më të rëndësishme të vendit”, tha Garuli. Sipas republikanëve, vetëm në këtë mënyrë shteti kryen realisht detyrimin e tij ligjor ndaj emigrantëve dhe thyen heshtjen dhe nënvleftësimin ndaj problemeve të tyre.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›