Omonia: Na lini Himarën ose bojkotojmë zgjedhjet
03/02/2005 Kryesia e organizatës së minoritetit grek "Omonia" është shprehur në një deklaratë për shtyp se do të bojkotojë zgjedhjet e ardhshme parlamentare, në rast se nuk merren parasysh kërkesat e minoritetit grek në Shqipëri për ndarjen zgjedhore. “Do të bojkotojmë zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të verës së këtij viti si komunitet minoritar grek, duke denoncuar Shqipërinë si vendin që nuk respekton pakicat kombëtare e përfaqësimin e tyre në parlament”, thuhet në deklaratën e "Omonia"-s. Sipas përfaqësuesve të organizatës greke, instancat më të larta të shtetit shqiptar dhe parlamenti kanë injoruar mendimin e pakicës greke në Shqipëri me deklarata verbale dhe duke anashkaluar thelbin e problemeve të tyre. “Në këtë linjë janë edhe përpjekjet e dy forcave politike, që përmes Komisionit të Kufijve të Zonave Zgjedhore do të dobësojnë përfaqësimin direkt në parlament të minoritetit grek, duke shkrirë dy zona elektorale të Qarkut të Vlorës, e ku përfshihet edhe Himara, Delvina e Saranda. "Një ndarje e tillë cënon rëndë të drejtat më elementare të njeriut, edhe në këtë rast të drejtat e minoriteteve për përfaqësim politik. Aq më keq, kur një ndarje e tillë është realizuar duke marrë për bazë regjistrimin e realizuar nga INSTAT-i në vitin 2001, regjistrim ku nuk ka marrë pjesë minoriteti grek”, thuhet në deklaratën e "Omonia"-s.