Presidenti Topi ngushëllon familjen për humbjen e Dhimitër Xhuvanit
Familja, kolegët, artistët dhe miqtë i dhanë dje lamtumirën e fundit Dhimitër Xhuvanit, ndërkohë që edhe Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka vizituar dje familjen Xhuvani për të ngushëlluar të afërmit e shkrimtarit, i cili u nda nga jeta para dy ditësh, në moshën 75-vjeçare. Pasi u shprehu të afërmve ngushëllimet më të sinqerta për humbjen e njeriut të shtrenjtë, presidenti Topi vlerësoi lart krijimtarinë dhe veprën e Dhimitër Xhuvanit, si një thesar i vyer i traditës dhe kulturës kombëtare. “Me punën dhe përkushtimin e tij, ai u kthye në një model të pastër të krijuesit dhe artistit me ndjenja, vlera e virtyte të çmuara njerzore dhe të një profesionisti virtyoz, me një personalitet të spikatur e karakter mbresëlënës” - vuri në dukje Kryetari i Shtetit. Duke shprehur mirënjohjen për kontributin e Xhuvanit në edukimin dhe formimin e brezave më të rinj të artistëve, regjisorëve dhe të skenaristëve në kinematografinë shqiptare, presidenti Topi nënvizoi se kujtimi i Xhuvanit do të mbetet përgjithnjë i pashlyeshëm në memorien e artdashësit shqiptar, përmes librave, filmave e personazheve të spikatura, skenave të gjalla e plot dinamizëm, të skalitura thellë ndër vite në mendjen e adhuruesve të kinemasë.
“Fizika e Qytetit”, ekspozitë fotografike për Tiranën
Një ekspozitë e veçantë fotografike pritet që të çelet më 22 tetor në sallën e madhe të Ambasadës Gjermane në Tiranë. “Tirana: Fizika e Qytetit”, titullohet ekspozita fotofrafike që është produkt i gjashtë studiuesve të rinj nga Gjermania, Çekia dhe Polonia. Në mars të këtij viti, grupi i studiuesve përshkoi 400 kilometra nëpër qytet, duke bërë 12 000 fotografi. Në ekspozitë është paraqitur një përzgjedhje stimuluese heterogjene dhe personale tablosh individuale, sërish, panoramash dhe fragmentesh filmike. Hapja e ekspozitës do të shoqërohet nga një prezantim i veprimeve dhe përfundimeve të studiuesve të rinj. Kjo ndërmarrje është një projekt i Studienkolleg zu Berlin, financuar nga fondacioni jofitimprurës Hertie dhe fondacioni i Studimeve të Popullit Gjerman, me mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë.
“Gjethe që bien”, në Cirkun e Metropolit
“Gjethe që bien” quhet premiera me e re e “Cirkut të Metropolit”. Deri më 22 nëntor, çdo të shtunë dhe të diel, në orën 11:00, fëmijët e kryeqytetit kanë mundësinë të shijojnë ketë shfaqje cirku. Premiera “Gjethet që bien” ofron një përmbledhje të numrave më të mirë të krijuar në 50 vitet e ekzistencës së cirkut shqiptar, të cilët tashmë janë ripunuar dhe rikonceptuar për ketë shfaqje. Është një mozaik numrash të ajrit, akrobacisë, plastikes, xhonglimit, numrave të shpejtësisë dhe klounatës,
ku mund të përmendim "Fjongoja fluturuese", "Klasa e qeneve",
"Basketbollisti xhongler,"Plastika- Vajza e kabaresë" si dhe lojërat humoristike të klounëve të cirkut. Nuk do të mungojnë as performancat e fëmijëve të grupit "SPEKTER" që i shtojnë koloritin shfaqjes. Udhëheqës artistik i kësaj shfaqje është mjeshtri Fatos Roshi, ndërsa interpretues janë akrobatet Manushaqe Mullai, Sokrat Buzo, Gentian Dollaku dhe Juxhina Madhi.
21 Tetor 2009