E Shtunë, 31 Tetor 2026

PREMIERA TE CRISTAL CENTER, “Kronikë provinciale”, vjen filmi i shumëpritur i Minarollit



Petrika GROSI
Këtë të premte, në sallën e kinemasë “Cristal Center”, pranë kompleksit me të njëjtin emër, do të shfaqet për njerëzit e artit, kulturës dhe medias premiera e një prej filmave të rinj shqiptarë, siç është “Kronikë provinciale”, me regji të Artan Minarollit dhe skenar të Ylljet Aliçkajt. Protagonistë janë Arta Dobroshi dhe violinisti i njohur Tedi Papavrami, ndërkohë që nuk mungojnë emrat e njohur të teatrit dhe kinemasë shqiptare, si Ndriçim Xhepa, Mirush Kabashi, Fadil Hasa, Robert Ndrenika, i ndjeri Aleko Prodani, Margarita Xhepa, Natasha Sela, Birçe Hasko, Vangjel Toçe, Marko Bitraku, Agim Qirjaqi etj. Po të njëjtën datë, por pasdite, do të jepet dhe premiera për publikun e kryeqytetit. Nga regjisori Minarolli mësojmë se filmi në fjalë do të shfaqet për publikun e kryeqytetit nga kjo e premte e në vazhdim në kinemanë e Cristal Center. “Kronikë provinciale” trajton dukuri të rilindjes sociale, shpirtërore e politike të tranzicionit postdiktatorial në një qytet provincial në jug të Shqipërisë, që jeton në thjeshtësinë, në përditshmërinë, në meskinitetin dhe madhështinë e tij. Një kronikë e zhurmshme, një përrallë për tolerancën dhe intolerancën, për pavarësinë e mendimit dhe respektin ndaj tjetrit. Sa i përket regjisorit Minarolli, ai është regjisor i disa filmave artistikë pas viteve ’90, ndër të cilat mund të përmendim “Nata pa hënë”, “Plumbi prej plasteline”, “Kronikë provinciale” dhe së fundi, skenarist e regjisor te filmi tjetër i ri “Gjallë”, premiera e të cilit mendohet që të shfaqet në kinematë shqiptare gjatë kësaj vere. E ndërsa subjekti i filmit është dashuria e dy të rinjve, të cilët për shkak të mentalitetit provincial detyrohen që të largohen nga qyteti, e madje të shkojnë deri te përfundimi tragjik, kujtojmë këtu se “Kronikë provinciale” ka ngjallur debate mes realizuesve të filmit dhe komunitetit mysliman që jepte lejen për të xhiruar në xhami dhe për të shfaqur një hoxhë (Mirush Kabashi) sipas skenarit dhe pikëpamjes regjisoriale të Minarollit. Fillimisht ky film u titullua “Lutja e dashurisë” dhe pas disa viteve vonesë, të cilat siç sqaron regjisori Artan Minarolli ishin për mungesë të fondeve në një fazë të caktuar, më në fund ky produksion do të shfaqet në kinema për të marrë vlerësimin e publikut dhe kritikës.

8 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›