Grevistët: Paratë i duam nga Berisha
Në territorin përreth pallatit të rrënuar më 9 nëntor të këtij vitit mund të shquash ende imazhet e pazakonta të grumbujve të mbetjeve inerte të mureve të pallatit dhe mbetjet e orendive dhe veshjeve të familjeve të mbetura pa strehë nga kjo tragjedi. Diku një këpucë, më tej ca copa qilimi, aty një dorezë dere, një filxhan kafeje, një derë frigoriferi, peshqirë, veshje, lule, lodra… Sipër tyre një garazh gjysmë i rrënuar dhe brenda tij 13 burra që rrinë të heshtur në pritje, të një lajmi, apo të dikujt nga zyrat e shtetit. "I kujt është ky garazh ku qëndroni ju?", pyet grevistët një polic me uniformë. "Është depoja dhe garazhi im! Pse, mos duhet të dalim edhe prej këtu!?", përgjigjet një nga grevistët, ish-futbollisti i shquar gjirokastrit, Ibrahim Braho. Polici nuk përgjigjet, por bën me kokë si për të thënë: "S‘ka gjë, rrini!" Ata kanë dy ditë që qëndrojnë të shtrirë mbi batanije, me disa shirita të kuq proteste lidhur në kokë. Përreth tyre gjen gjithmonë njerëz, të afërm, familjarë, miq dhe fqinjë të dikurshëm, që i ngushëllojnë në heshtje. Imazhet e shembjes së pallatit të tyre me siguri që do të mbeten për shumë kohë të pashlyera, jo vetëm në shpirtin e përvuajtur të të mbijetuarve, por edhe në kujtesën e gjirokastritëve të thjeshtë. Të gjithë vijnë këtu për t‘u dhënë kurajë me prezencën e tyre, por vetëm përfaqësuesit e shtetit, ata që duhet të firmosin për dëmshpërblimin e shkaktuar së pari prej institucioneve të shtetit që funksionojnë në një kënetë informalizmi e papërgjegjshmërie mungojnë para këtyre njerëzve të stresuar dhe zhgënjyer. "Kanë kaluar një muaj dhe një javë nga tragjedia e pallatit të shembur përdhe, duke marrë me vete edhe tri jetë njerëzish. Kanë kaluar 39 ditët dhe netët dhe ne ja ku jemi përsëri të vetmuar e pa asnjë shpresë për t‘u kthyer në shtëpitë tona, në mes të gërmadhave që të trishtojnë edhe më shumë", shprehet gazetari Sokrat Papadhopulli, i përzgjedhur nga bashkëvuajtësit si zëdhënës i grevës së urisë. Interesohemi te Sokrati për gjendjen e grevistëve në ditën e dytë të grevës së urisë të banorëve të pallatit të rrëzuar në lagjen "11 Janari" dhe mësojmë prej tij se tre prej tyre kanë paraqitur probleme serioze në shëndet. Problemet i kanë pasur Axhem Mene, Bilbil Tena dhe Fejzi Aliaj, që janë edhe grevistët me moshën më të madhe të grupit të të ngujuarve. Ata qëndrojnë në një barakë që vetëm në tri anë të saj ka mure të lagët, ndërsa në njërën anë ka një portë hekuri me hapësira nga ku hyn era dhe i ftohti. Kushtet e grevës janë të paimagjinueshme, prandaj të sipërpërmendurit sipas mjekut Dilaver Stroka kanë paraqitur probleme të theksuara në sistemin kardiovaskular. "Sëmundja e enëve të gjakut te këta persona në moshë mbi 60-vjeçare, për shkak të të ftohtit dhe të qëndrimit pa lëvizur ka rënduar mjaft fizikun e tyre gjatë orëve të drekës së të martës", thotë mjeku që ndjek nga afër ecurinë e shëndetit të të ngujuarve në grevën e urisë. Sipas tij, në përgjithësi gjendja e grevistëve, natyrisht përveç tre personave të përmendur më sipër, ka qenë e mirë, mirëpo, kjo sipas tij, nuk do të thotë se rezistenca trupore e tyre është e palimituar. Me insistimin e mjekut, tre grevistët janë përcjellë në spitalin e Gjirokastrës për t‘iu nënshtruar një kure me marrjen e serumeve si pasojë e mungesës së lëngjeve trupore dhe mungesës së ushqimit. Nën efektin e serumeve, të tre grevistët, nuk kanë dëgjuar rekomandimet e mjekëve për t‘u larguar nga greva, por janë rikthyer në vendin e ngujimit. Ndërkaq, grupi i grevistëve, u ka përcjellë një peticion autoriteteve më të larta shtetërore në qendër për plotësimin e kërkesave të tyre, në rast të kundërt, ata do të vetëflijohen. Peticioni, përveç deputetit të zonës, Genc Ruli, i është dërguar edhe kreut të qeverisë, Berishës, Presidentit Topi, si dhe institucioneve të tjera qeveritare. Mësohet se mesditën e djeshme grevistët i ka vizituar edhe kreu i ri i PD-së së Gjirokastrës, Vasil Muka. Ky i fundit ndau shqetësimet me grevistët për kërkesat e tyre, por shprehu besim se qeveria shqiptare do të zgjidhë në kohë kërkesat e tyre legale për të pasur një shtëpi të tyren, si dhe dëmshpërblimin e orendive shtëpiake. Përveç kreut të PD-së, Muka, grevistët dje nuk i ka vizituar asnjë përfaqësues tjetër shtetëror dhe politik vendor. "Jemi të vendosur të mos dalim nga ky garazh pa u siguruar plotësisht për kompensimin e dëmeve. Pa marrë në dorë vendimin e qeverisë për kompensimin një për një të humbjeve tona materiale, sepse për humbjet shpirtërore dhe njerëzore nuk do t‘ia dijë njeri në këtë vendin tonë të mallkuar", thotë ish-mundësi i Luftëtarit, Fejzi Aliu, një nga viktimat e tragjedisë së 9 nëntorit në Gjirokastër, i futur në grevë.
Peticioni
Drejtuar:
Presidentit të Republikës, zotit Bamir Topi
Kryeministrit, zotit Sali Berisha
deputetit të Gjirokastrës, zotit Genci Ruli
Ne ish-banorët e pallatit të Gjirokastrës që u shemb nga punimet që u kryen pranë themeleve të tij dhe që rezultuan të paligjshme, vlerësojmë veprimin tuaj që na u ndodhët pranë në orët e katastrofës dhe që na premtuat se situata jonë do të përmirësohej sa më shpejt.
Por tani, më shumë se një muaj nga tragjedia, konstatojmë me keqardhje se zhvillimet, jo vetëm që nuk po marrin për mbarë, por përkundrazi, ne dhe familjet tona jetojmë ankth dhe po shkojnë drejt shpersonalizimit, pasi jemi pa banesa, jetojmë të stresuar në maksimum në kushte të vështira dhe anormale.
Duke qenë se në nuk po shohim asgjë konkrete për zgjidhjen e problemit tonë krejtësisht jetik, në datën 15 dhjetor vendosëm të hyjmë në grevë urie në një garazh shumë pranë gërmadhave të pallatit tonë të rrënuar. Do të vazhdojmë të qëndrojmë këtu derisa të marrim në dorë vlerën e plotë të dëmit që pësuam nga kjo fatkeqësi për të cilën nuk kemi asnjë përgjegjësi. Nuk kërkojmë zhdëmtim sipas parimit komunist të barazitizmit, por sipas objekteve që ka pasur në banesën e tij çdo familje e mbetur pa strehë dhe që i kemi deklaruar para autoriteteve të shtetit qysh në ditët e para të katastrofës sonë.
Mbetemi në pritje të interesimit tuaj për sa ju vëmë në dijeni. Ju lutemi na ndihmoni brenda kuadrit të drejtësisë dhe në përputhje me respektimin e të drejtave të njeriut.
Me respekt,
nga ish-banorët e pallatit të humbur më 9 nëntor 2008
Gjirokastër 16 dhjetor 2008