E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plagosja, tri ditë protesta në QSUT

Mjekët e qendrës spitalore universitare "Nënë Tereza" në Tiranë kanë vendosur që të protestojnë të gjithë së bashku sot, duke pezulluar punën. Të përfaqësuar nga sindikata e tyre, por edhe të mbështetur nga ana e drejtuesve më të lartë të shëndetësisë, bluzat e bardha të QSUT-së sot do të nisin një grevë pa afat, për të cilën shprehen se do ta përfundojnë vetëm në përmbushjen e plotë të kërkesave të tyre.

Shkaku

Kjo protestë e paralajmëruar që një ditë më parë nga ana e mjekëve të qendrës më të madhe universitare në vend ka ardhur si pasojë e situatës së krijuar prej rastit të fundit të dhunës së ushtruar ndaj mjekut endokrinolog, Agron Ylli. Ky i fundit rrezikoi seriozisht jetën pas goditjes me thikë të bashkëshortit të njërës prej pacienteve që trajtonte, në afërsi të klinikës së tij private, në zonën e Shallvareve në Tiranë. Ky ka shënuar edhe rastin e tretë të agresionit dhe dhunës së ushtruar kundrejt mjekëve në vendin tonë në një hark të shkurtër kohor.

Rasti i parë ishte goditja me thikë e kardiokirurgut Ali Refatllari nga i afërmi i një pacienti të vdekur. Ndërsa rasti i dytë është ai i spitalit të Vlorës, ku sërish me thikë u godit mjeku neurolog, Kosta Koçiu.

Kërkesat

Vendimi i bluzave të bardha do të pasohet edhe me një seri të re protestash, të cilat sipas përfaqësuesve të tyre kanë në thelb mbrojtjen e dinjitetit dhe jetës së mjekut. Sot, mjekët dhe shefat e shërbimeve të spitalit "Nënë Tereza", do të fillojnë protestën e parë, duke kërkuar nga qeveria dhe autoritetet përkatëse të garantojë jetën e mjekëve. Ndërsa ndaj opinionit publik, mjekët kanë vendosur që të apelojnë për më shumë respekt ndaj bluzave të bardha. Nga sindikata e mjekëve dhe infermierëve të QSUT-së është njoftuar se do të ndërpriten operacionet në të gjitha shërbimet, përveç atij të urgjencave. Shefi i neurokirurgjisë, Mentor Petrela, ka konfirmuar se, vendimi për të rifilluar punën do të merret vetëm pasi të jenë plotësuar kërkesat e mjekëve.

Reagimet

Të menjëhershme kanë qenë reagimet si nga bluzat e bardha ashtu edhe nga titullarë të institucioneve të rëndësishme lidhur me rastin e fundit të dhunës së ushtruar kundër mjekut endokrinolog në qendër të Tiranës. Kryeministri Berisha dhe ministrja e Shëndetësisë kërkuan më shumë respekt për figurën e mjekut, por edhe dënimin e fajtorëve nga drejtësia. Nga ana tjetër, pranohet fakti se shkalla e lartë e korrupsionit në radhët e shëndetësisë është një ndër arsyet kryesore të humbjes së besimit nga ana e qytetarit te figura e mjekut. Akte të tilla të shëmtuara, sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Dine Abazaj, ndodhin për shkak se qytetarët kanë humbur besimin te bluzat e bardha. "Të ushtrohet dhunë ndaj mjekut është diçka e padëshirueshme. Shëndetësia jonë ka mjaft probleme, pasi ka mangësi në medikamente, në aparatura dhe këtu qytetarët humbasin besimin, ndaj këtë zemërim ata nuk kanë ku e shprehin dhe e nxjerrin te mjeku me të cilin përballen", u shpreh Abazaj, i cili nuk ka lënë pa përmendur mungesat në ofrimin e një shërbimi korrekt dhe cilësor nga ana e sistemit shëndetësor për nevojtarët. Një tjetër problem i ngritur ka qenë edhe mungesa e etikës profesionale në shumë raste, të cilat çojnë në deziluzion të pacientëve ndaj atyre, që u lënë në dorë shëndetin.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›