PRIORITETET E IMPONUARA DHE NEVOJAT REALE TË KOSOVËS
Në Kosovë, tradicionalisht prioritetet i kanë përcaktuar të huajt, bazuar në interesat e tyre e jo të qytetarëve të Kosovës. Pushtetarët vendorë është dashur t’i përvetësojnë ato prioritete si të vetat, në të kundërtën, për “kryeneçët” kanë pasuar ndëshkimet.
Dikur prioritete në Kosovë ishin: përhapja e ideve komuniste, pastaj kultivimi i bashkim-vëllazërimit, mandej lufta kundër separatizmit dhe irredentizmit shqiptar etj. Ndërsa, viteve të fundit, si prioritete janë përcaktuar: krijimi i shoqërisë shumetnike në Kosovë (të populluar me mbi 90% shqiptarë), kthimi dhe integrimi i serbëve, decentralizimi etj.
Si në të kaluarën, edhe tani, prioritetet po i përcaktojnë të huajt e ne po u nënshtrohemi imponimeve të tyre.
Kështu, ata që nuk i njohin e shpesh dhe nuk u interesojnë nevojat e vërteta të popullit të Kosovës, po vazhdojnë t’i caktojnë prioritetet tona. Ata po zhvillojnë bisedime me fqinjët tanë në emër të Kosovës së pavarur, pa përfaqësuesit e saj, po themelojnë agjenci e komitete për zbatimin e prioriteteve të tyre, ndërsa me identifikimin, e sidomos zgjidhjen e problemeve të vërteta, me të cilat po ballafaqohen qytetarët po merren pak, ndërsa ne po bëjmë sehir.
Këto ditë, për një vend pune në shkollat e Gjilanit konkurruan dhjetë veta, 90% të tyre të kualifikuar. Nga 1700 punëkërkuesit e lartpërmendur, 1530 vazhdojnë të mbesin edhe më tutje të papunë. Bazuar në nevojat e tregut të punës (shkollat e komunës së Gjilanit) të papunëve aktualë nuk do të mund t’u sigurohet punë në shkollat e lartpërmendura brenda 10 viteve të ardhshme, pa llogaritur këtu të gjithë ata që ndërkohë do të diplomohen. Nëse merret parasysh edhe prodhimi permanent i kuadrove, shihet qartë se problemi i papunësisë prej vitit në vit po thellohet. Po të kihet parasysh fakti se Gjilani nuk është rast unik, atëherë del se hapja e vendeve të reja të punës dhe planifikimi i shkollimit të kuadrove duhet të jenë prioritete me të cilat duhet seriozisht të merremi.
Për shkak të disharmonisë së nevojave reale të tregut të punës për kuadro në lëmi të caktuara me numrin e të kualifikuarve, rikualifikimi është një tjetër nevojë me prioritet.
Stimulimi i prodhimit, përmes investimeve vetanake dhe të huaja, krahas përgatitjeve të kuadrove të mirëfillta për prodhim është prioritet i lartë.
Parakusht për tërheqjen e investitorëve dhe prodhimtari të suksesshme është përmirësimi i kushteve të punës në shkollat tona. Kështu, për shkak të mungesës së hapësirës shkollore, laboratorëve, mjeteve të konkretizimit, mungesës së kushteve për punë të mirëfilltë praktike, mungesës së mekanizmave monitorues, planë-programeve kemi cilësi të ulët në arsim. Prandaj, mbi këtë bazë mendojmë se investimi në arsim është prioritet mbi prioritetet, sepse nëse kjo gjendje në arsim nuk ndryshon, arsimimi jocilësor do të bëhet pengesë për zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në Evropë.
Luftimi i dukurive negative, ngritja e shkallës së përgjegjësisë, dallimi i vlerave nga jovlerat, i punës nga dembelia, ndërtimi i institucionit të përgjegjësisë, imponimi i respektimit të ligjit janë veprime të domosdoshme të çdo vendi dhe shoqërie serioze. Në këtë plan Kosova nuk guxon të jetë përjashtim.
Problemet e lartpërmendura, që fatkeqësisht për vite të tëra, në shumë segmente janë në rritje, do të fillojnë të zgjidhen kur prioritetet e Kosovës t’i identifikojnë dhe përcaktojnë qytetarët dhe udhëheqja e saj pa imponime nga jashtë.
Nga kthimet e imponuara politike të cilat u sjellin përfitime materiale individëve duhet të hiqet dorë menjëherë, sepse me zhvillimin ekonomik të vendit vetvetiu do të zgjidhet problemi i kthimit dhe riintegrimit, sepse kthimi i të interesuarve do të ndodhë natyrshëm, për shkak të interesave të qytetarëve e jo të politikës ditore.
Integrimin jo vetëm të të kthyerve, por edhe të serbëve që aktualisht jetojnë në Kosovë, po e pengon decentralizimi që me të padrejtë po mbahet në listën e prioriteteve përkundër faktit të njohur nga të gjithë, se decentralizimi i imponuar nga Serbia përmes Planit të Ahtisarit nuk është nevojë, por është imponim, se decentralizimi nuk është lançuar me qëllim të integrimit, por është lançuar me qëllim të ndarjes së territorit të Kosovës në baza etnike. Dihet se kjo formë e decentralizimit nuk do të zgjidhë as një problem, vetëm sa do të ndërlikojë shumëçka. Dihet se kundër kësaj forme të decentralizimit janë pothuajse të gjithë qytetarët e Kosovës. Dihet se udhëheqja e Kosovës është detyruar nga të huajt ta përkrahë decentralizimin por intimisht ajo është kundër decentralizimit në fjalë. Nga ky prioritet i imponuar do të jenë të detyruar të heqin dorë një ditë përkrahësit e vërtetë dhe ata që e bëjnë këtë për shkak të presionit, sepse ai është i dëmshëm për të gjithë dhe si i tillë i pazbatueshëm, prandaj është mirë që nga ai të hiqet dorë sa më parë.
Është koha e fundit që udhëheqja e Kosovës, bashkë me qytetarët e saj, të fokusohet në identifikimin e problemeve të shumta me të cilat po ballafaqohet vendi (e të cilat po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme) t’i përcaktojnë prioritetet bazuar në analizat dhe vlerësimet e tyre pa ndikime nga jashtë, sidomos nga ata, të cilët nuk e njohin ose nuk u intereson realiteti i Kosovës.