E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krujë; Leje shpërblyese dhe të veçanta për të dënuarit

Zbatimi i lejeve shpërblyese dhe lejeve të veçanta për të burgosurit dhe të paraburgosurit në burgun e sigurisë së lartë të Zaharisë në Krujë, ka mbledhur në një festë të veçantë autoritetet e burgut dhe të dënuarit e këtij burgu. Lejet shpërblyese dhe ato të veçanta janë përcaktuar me një ligj të veçantë të miratuar kohë më parë në Parlament. Lejet kishin kohë që nuk po aplikoheshin në burgje, pas largimit të një të dënuari, i cili nuk u kthye në burgun e Rrogozhinës pas përfundimit të lejes. Të dënuarit reaguan, duke protestuar në mënyrën e tyre ndaj këtij dënimi kolektiv. Lejet e para nisën të zbatoheshin sërish për festat e fundvitit, duke pajisur të gjithë të dënuarit që plotësonin kriteret e vendosura. Në këtë burg janë gjithsej 200 të burgosur, ndërkohë që janë aplikuar për këtë vit rreth 90 leje si dhe dhjetëra shoqërime të veçanta. Lejet që u jepen të burgosurve të këtij burgu, ashtu sikundër ndodh edhe në burgjet e tjera të vendit, variojnë nga leje me shoqërim për raste të veçanta, si gëzime apo hidhërime familjare, por edhe leje shpërblyese për qëndrim të mirë që shkojnë deri në 10 ditë. Në aktivitetin e organizuar kanë qenë të ftuar grupi karakteristik i pleqve të Krujës si dhe këngëtarë të tjerë.

Tiranë

Prokuroria merr në shqyrtim denoncimet ndaj kryekomunares Goga

Prokuroria e kryeqytetit ka marrë në shqyrtim denoncimet e shumta të mbërritura në organin e akuzës ndaj kryekomunares së Ndroqit, Fatime Goga, dhe sekretares së komunës, Irena Trimi. Sipas burimeve nga prokuroria, dje ka nisur shqyrtimi i materialeve të grumbulluara dhe nëse do shihet se ka elementë të veprës penale, atëherë do të regjistrohet procedimi penal dhe do merren masat ndaj saj. Kanë qenë dy prokurorët që morën në shqyrtim materialet denoncuese në ngarkim të dy funksionareve të komunës së Ndroqit, kryetares së komunës, Fatime Goga, 51 vjeç dhe sekretares së komunës, Irena Trimit, 25 vjeç. Ato akuzohen për abuzime me detyrën, lidhur me procedurat për regjistrimin e tokave. Po të njëjtat burime pohuan se grupi hetimor po verifikon aktet procedurale të përgatitura nga policia ndaj dy funksionareve. Sipas burimeve të sipërcituara, nëse hetuesit do të konstatojnë elementë të mjaftueshëm të veprës penale në këto materiale, atëherë prokuroria do të nisë zyrtarisht procedimin penal, duke i hapur kështu rrugë hetimit për çështjen në fjalë. Denoncuesit, të cilët janë fshatarë të komunës së Ndroqit, i akuzojnë Gogën dhe Trimin se gjatë muajve të fundit nuk kanë kryer procedurat e regjistrimit dhe kërkesë-ankesat e tyre mbi pronësinë e tokës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›