E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rrjepja bankare

Sistemi bankar në Shqipëri ka marrë një zhvillim të paprecedentë. Veprojnë 25 banka tregtare, në krahasim me 18 të gjashtë viteve më parë. Kredia në tre vitet e fundit gati është dyfishuar. Në asnjë vend tjetër të botës nuk ka ndodhur një furtunë e tillë. Edhe pse oreksi i bankave për të dhënë kredi i ngjan babëzisë së një të pangrëni prej një jave, ai duhet mirëpritur. Bankat japin para për qytetarët dhe bizneset, mundësojnë nisma të reja private e hapje vendesh pune të reja. Por ama na duhet të shikojmë edhe “anën e prapme të hënës”, fajden, me të cilën “i kriposin” këto para. Ose quajtur ndryshe në gjuhën bankare, përqindja e interesit e kredisë. Ajo është mesatarisht 13 për qind tek ne. Ndërkohë që në një vend të ngjashëm me potencialin tonë ekonomik, Maqedoninë, bankat japin kredi me 9 për qind në vit. Përse kjo diferencë e madhe? Po “të kripura” janë edhe shërbimet më të thjeshta bankare, transfertat e parave. Ankohen jo vetëm qytetarët për komisionet e stërfryra bankare. Për të mos folur për bizneset dhe barrën që u shkaktojnë atyre këto komisione “të kripura”. Në këtë prizëm, propozimi i Kryeministrit për të “sheshuar” tarifën e shërbimeve bankare ndaj biznesit duket interesant. Kuptohet që bankat humbasin me qindra mijëra euro fitime nga ky sheshim dhe do të jenë kundër. Nga ana tjetër, banka jonë qendrore, Banka e Shqipërisë nuk është si punë Kryeministrie për bankat e nivelit të dytë (bankat tregtare) dhe vendimet e saj nuk kanë forcën e vendimeve të Këshillit të Ministrave. Megjithatë, kur vetë kjo bankë në një raport të fundit flet shqeto: “Përqendrimi i aseteve dhe kredive bankare në pak banka tregtare mbart rreziqet që të krijojë një situatë oligopolistike, ku pak lojtarë kanë në dorë kushtet për kredi të reja”, nuk ka pse Guvernatori i saj të dalë më në mbrojtje të bankave për tarifat monopoliste që ato aplikojnë në shërbimet ndaj biznesit. Sigurisht që bizneset kanë fajet e të metat e tyre në mungesën e transparencës dhe në ndrojtjen që tregojnë kur u afrohen bankave. Kjo, pse shumica e tyre janë mësuar të punojnë me dy bilance dhe transparenca e llogarive bankare u ngjall frikë. Por nga ana tjetër tarifat e larta të shërbimeve dhe të kredive përbëjnë një rrjepje të mirëfilltë të biznesit dhe qytetarëve shqiptarë. Mediat janë të pafuqishme për ta denoncuar këtë rrjepje, pse janë të lidhura nga reklamat e sponsorizimet bankare. OJF-të po ashtu. Qeveria po provon me kurajë t’u bëjë thirrje bankave që të ulin koston e produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë. Pagesat e rrogave të të gjitha institucioneve shtetërore bëhen tashmë nëpërmjet bankave dhe kjo ka sjellë që shumë banka të hapin degë në zona të vendit që më përpara nuk kishin guxuar. Mirëpo kjo shtrirje e tyre, kjo rritje e kreditimit duhet arsyeshëm të shoqërohet me uljen graduale të përqindjes së interesit të kredisë dhe shërbimeve të tjera bankare, me logjikën e shëndoshë të tregut që “kush shet më shumë, ul çmimin për njësi”. Sidomos kredia paraqet një abuzim monopolist të pastër. Sikur të mos ishte loja “e zgjuar” (në dukje, pse realisht është një veprim i ulët në kurriz të klientelës) e një grupi bankash kryesore me kreditë, përqindja e tyre mundej fare mirë të ishte 9-10 për qind. Sigurisht që bankat nxjerrin plot justifikime kur autoriteti bankar qendror, Banka e Shqipërisë i qorton me pambuk për këtë lojë të tyren: rreziku i bërjes biznes, mendësia e vjetër e shumë shtetasve dhe madje edhe e sipërmarrësve, mungesa e dokumentacioneve të sakta për tokën dhe për pasuritë e tjera të patundshme, mosfunksionimi i zyrave të përmbarimit dhe i vendimeve për ekzekutimin e kolateraleve etj. Mirëpo vështirësi të ngjashme nuk i pengojnë bankat maqedonase, malazeze apo bullgare në rajonin tonë të japin kredi me 7 ose 9 për qind. Pra nuk është thjesht tek lumi i pengesave që bankat hasin në punën e tyre. Ato mund të qahen dhe ankohen me shumë mjeshtëri, por arsyeja qëndron gjetiu dhe pikërisht tek çmimi monopol i kredisë. Deri tani banka jonë qendrore është mjaftuar me qortime verbale. Me ndonjë tërheqje vëmendjeje në takime dy apo shumëpalëshe. Ndoshta është koha për një dorë më të fortë. Shumë banka të tjera qendrore edhe në rajonin tonë nuk kanë hezituar, kur kanë parë grupe bankash të aplikojnë çmime të diferencuara, duke deformuar rregullat e tregut. Është pikërisht prania e shumë lojtarëve financiarë abuzivë që solli edhe tronditjen e këtyre ditëve të fundit të sistemit financiar ndërkombëtar, krizën e bankave kredituese në SHBA, falimentimin e një prej katër bankave më të mëdha amerikane, “Lehman Brothers”. Tek ne, Banka e Shqipërisë mund edhe të aplikojë gjoba ndaj atyre bankave që zbatojnë lojën monopol me kreditë. Dhe nëse vetëm njëra bankë merr ndonjë gjobë të kripur, për shembull në nivel gjysmë milioni apo një milion euro, të jemi të sigurtë se menjëherë bankat e tjera do t’i largohen lojës. Do të ulin interesat dhe komisionet e shërbimeve aty tek një fitim i arsyeshëm i tyre dhe tek një kosto e pranueshme nga ana e qytetarëve dhe bizneseve. Do të vijë kjo ditë? Le të shpresojmë. Banka jonë qendrore mund të bashkëpunojë fare mirë me qeverinë për këtë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›