E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër ; Xhuveli merr pjesë në aktivitetin “Qyteti i biçikletave”

Qindra qytetarë nga Shkodra përdorën dje biçikletat në rrugët kryesore të qytetit në kuadër të 22 shtatorit, Ditës Ndërkombëtare pa Makina, nën moton "Për një ajër dhe mjedis të pastër për të gjithë". I pranishëm në këtë aktivitet organizuar me sloganin "Në qytet pa makinën time" ishte dhe ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Lufter Xhuveli, kryetari i bashkisë, Lorenc Luka, prefekti Maxhid Cungu, drejtues të institucioneve shtetërore etj.

Në tubimin kryesor të zhvilluar në sheshin "Zogu i parë", kryetari i bashkisë, Lorenc Luka, duke falënderuar ministrin Xhuveli që zgjodhi qytetin verior për këtë ditë tha se "Shkodra do të vazhdojë t’i japë përparësi përdorimit të biçikletës duke minimizuar qarkullimin me automjete në rrugët e qendrës së qytetit".

Sipas tij, ky problem është duke u vënë në jetë me krijimin e korsive të ecjes me biçikletë, në vendin që më parë kanë qenë të sistemuara automjetet në parking.

Ministri Xhuveli tha se "zgjodha qytetin e Shkodrës për të festuar këtë ditë për vetë faktin se ky qytet ka një traditë të hershme në përdorimin e biçikletës. Në këtë qytet ka ardhur biçikleta e parë në vendin tonë, është organizuar gara e parë e çiklizmit në Shqipëri, është zhvilluar rrethi i parë i çiklizmit në Evropë për amatorë, ndërkohë që ajo njihet si qyteti rekord i biçikletave".

Madje, duke u ndalur tek karakteristika e veçantë që ky qytet ka në lidhje me biçikletat, ministri Xhuveli i propozoi kryetarit të bashkisë të organizojë një ditë të veçantë vetëm për biçikletat, e cila fare mirë mund të futet në traditë si "Dita e biçikletave".

Ministri Xhuveli nënvizoi se "nisma e Ministrisë së Mjedisit në bashkëpunim me bashkinë e Shkodrës synon sensibilizimin e opinionit publik për të zvogëluar përdorimin e makinave, duke nxitur kështu përdorimin e transportit publik dhe mjetet e tjera, sikurse biçikletat".

Ai vlerësoi nismën e marrë nga qytete të zhvilluara pak vite më parë për të lënë mënjanë të paktën një ditë në vit automjetet e tyre, me qëllim që të sensibilizohen qytetarët se vetëm kështu do të kemi një ambient dhe ajër të pastër. Ndërkohë që nxënësve më të mirë të shkollave të qytetit iu dhuruan dymbëdhjetë biçikleta nga Ministria e Mjedisit dhe Drejtoria rajonale e Arsimit në qytetin e Shkodrës. Më pas, ministri Xhuveli dhe autoritetet lokale të shoqëruar nga qindra qytetarë shkodranë kanë bërë një xhiro sensibilizuese nëpër rrugën kryesore në qendër të qytetit duke e përshkuar atë nga sheshi "Zogu i parë" deri në sheshin "Luigj Gurakuqi", ndërsa janë ndalur edhe përpara godinës së bashkisë në një bisedë miqësore me qytetarët shkodranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›