“Shqipëria është në krizë, alternativat për të shpëtuar”
tirane
Rudina Seseri është një sfidante. E ka në natyrë, asgjë më shumë dhe asgjë më pak se sa fitoren në secilën prej sfidave që i ka vënë vetes. Studentja e shkëlqyer e “Harvard Businnes School”, bashkëpunëtorja e BILL GATES, apo sot një prej eksperteve më të suksesshme në fushën e investimeve në teknologji, nuk ka gjë që ia vendos objektiv vetes dhe nuk e arrin.
Me një mentalitet të tillë ajo ka ndërtuar karrierën e saj në SHBA dhe është gjithaq një nga ekspertet më të mira të fushës së ekonomisë dhe financave. Por “jeta amerikane”, sado që intensive nuk e ka shkëputur atë nga Shqipëria asnjëherë, madje që prej vitit 1994 kur u nis me studime në SHBA. Ndjek ngjarjet në Shqipëri, hulumton raportet dhe statistikat për ekonominë shqiptare, analizon në shtypin shqiptar çështjet ekonomike dhe ato të zhvillimit dhe mbi të gjitha reflekton për idetë ekonomike që do ta nxirrnin Shqipërinë jo thjesht nga kriza e saj e dyfishtë e tranzicionit, por dhe nga efektet e mëdha të krizës botërore, e cila është afër, apo siç shprehet ajo vetë “sapo ka filluar, pasi ka mbërritur në Shqipëri pothuajse 9 muaj me vonesë”. Mapo ka zhvilluar me këtë eksperte tejet të kualifikuar një bisedë mbi krizën, të cilën e ajo e analizon dhe e përjeton pikërisht nga zemra e sistemit financiar botëror, SHBA. Ja analiza dhe dëshmia e një profesioniste të nivelit ndërkombëtar mbi shkaqet e krizës, mbi faktin se sa, kur, si na prekur kriza botërore ne në Shqipëri. Dhe mbi të gjitha, mbi idetë e reja që duhen që ne ekonomi dhe shoqëri për të dalë nga kriza.
Gjithë këto muaj kemi përjetuar krizën nga brenda sistemit financiar amerikan, praktikisht nga zemra e krizës. Për sa ju keni përjetuar, a është kriza aq sa paraqitet nga mediat? Është më e qetë, apo më e thellë nga sa paraqitet përditë në mediat botërore?
Kriza financiare aktuale është shumë e thellë, sepse kemi rastin e një kombinimi të një krize financiare botërore, me një recesion të thellë ekonomik. Megjithëse kriza financiare dhe recesioni nuk kane raportin e shkakut dhe pasojës mes tyre, ato janë të ndërlidhura dhe influencojnë – në rastin konkret negativisht – njëra tjetrën. Në mes të furtunës së lajmeve mediatike, shpeshherë humbet fakti që kriza financiare nuk është një fenomen i fundit të 2008-ës dhe vitit 2009. Përkundrazi, kjo krizë i ka fillimet e saj në 2006-n.
Cilat ishin shkaqet e kësaj krize?
Në thelb kriza financiare ndodhi për shkak të financimit dhe blerjeve në tregun e pasurive të patundshme, sidomos të banesave. Aktorët e kësaj krize ishin individë të ndryshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilët të motivuar nga rritja e çmimeve të shtëpive, merrnin kredi për t’i blerë ato. Motivimi për këto blerje bazohej në besimin që me kalimin e kohës, çmimet e pasurive të patundshme do të vazhdonin të rriteshin, kështu që një pronë e blerë sot do të shtohej në vlerë disa muaj më vonë, edhe sikur tek ajo të mos bëhej asnjë investim. Të nisur nga kjo ide, gjithnjë e me shumë blerës hynin në treg, duke i ngritur më shumë çmimet që ishin në vetvete të larta.
Një grup tjetër aktorësh në këtë krizë ishin institucionet financiare ndërkombëtare, të cilat bënë të disponueshëm kapitalin në formën kreditore për këta individë të interesuar në pasuritë e patundshme. Problemi këtu është i dyfishtë: në radhë të parë ata i joshën blerësit me kredi, interesat e të cilave ishin fillimisht shumë të ulëta dhe më pas shkonin në ekstremin tjetër të rritjes. Fakti i rritjes së interesit normalisht do të kishte qenë problem për blerësit, por besimi i tyre se do të ishin në gjendje t’i shisnin pasuritë e tyre të sapoblera në një periudhë shumë të shkurtër kohore e eliminonte këtë shqetësim nga mendjet e tyre. Së dyti, bankat u dhanë kredi jo vetëm individëve të kualifikuar në bazë të profilit të tyre të së ardhurave dhe rrezikut që përbënin, por edhe atyre që qartazi kishin një profil të lartë rreziku, sepse nuk ishin të punësuar ose nuk kishin të ardhurat e duhura.
Natyrshëm lind pyetja se si institucione të mëdha bankare, që kanë departamente të tëra për analizën e rrezikut kreditor, mund t’i lejonin këto kredi. Shpjegimi është i dypjesshëm. Në radhë të parë, mentaliteti masiv për rritjen e çmimeve i kishte kapur edhe bankat, të cilat besonin se në rast se individët për një arsye ose tjetër nuk i bënin dot pagesat e tyre, ato do të mund të merrnin pasuritë e patundshme e t’i shisnin me çmime të larta, duke siguruar edhe kapitalin principal, edhe fitimet e tyre. Së dyti, bankat morën një masë të pazakontë, duke blerë siguracione përkundrejt këtyre kredive, me idenë që nëse tregu i shtëpive shkatërrohej, ato do të mund të merrnim mbrapsht paratë që kishin kredituar.
Kjo na sjell në grupin e tretë të aktorëve të krizës financiare: kompanitë e sigurimeve. Koncepti i kompanive të sigurimit funksionon sepse megjithëse sigurimet blihen si një formë garancie nga shumë individë apo kompani, vetëm pak prej tyre në realitet kanë nevojë t’i shfrytezojnë këto plane sigurimi. Në rastin konkret, ndodhi pikërisht e kundërta. Çmimet e shtëpive, të cilat ishin rritur pa asnjë bazë të mirëfilltë të zhvillimit të pasurive të patundshme, shpërthyen si një flluske sapuni, duke vënë në lëvizje uraganin e krizës financiare.
Falimentimet e para ndodhen tek individët në masë, të cilët nuk mund t’i rishisnin shtëpitë e tyre, të ndjekura shumë shpejt me dështimin e kompanive të sigurimit, të cilat ishin të detyruara të paguanin bankat në bazë të kontratave dhe më pas nga bankat ndërkombëtare, të cilat u transformuan në trashëgimtare të kredive tashmë të emërtuara si “kreditë toksike”.
Ka ide sipas të cilave ky është cikli normal i kapitalizmit, ka ide të tjera sipas të cilave ky është përfundimi i një liberalizmi të tepruar?
Ideja e ciklit normal të kapitalizmit dhe ajo e një liberalizmi të tepruar, nuk janë dy teza që përjashtojnë njëra-tjetrën. Në fakt, ato mund të bashkekzistojnë, siç ka ndodhur në rastin konkret. Ciklet e biznesit janë cikle normale. Ka recesione si tani, ka inflacione, ka edhe periudha të mirëfillta zhvillimi. Ekonomia e integruar e vendeve të zhvilluar po kalon një periudhë recesioni, si pjesë e cikleve normale të biznesit. Kriza financiare në anën tjetër është pjesërisht një konsekuencë e liberalizimit të tepruar, ose uljes së mbikëqyrjes nga institucionet qeveritare. Në fakt, periudha e çrregullimeve dhe uljes se masave të kontrollit filloi gjatë qeverisjes së administratës Klinton dhe u thellua me proporcione të mëdha gjatë administratës Bush. Në konkluzion, po jetohen konsekuencat e një recesioni ekonomik, mprehtësia e të cilit është forcuar nga kriza financiare, e cila në vetvete u mundësua nga liberalizimi i tepruar.
Qeveria përditë dhe që prej fillimit ka një qëndrim mohues ndaj krizës. A na ka prekur kriza dhe cilat janë shenjat e saj nëse po?
Kjo është një pyetje që shtrihet në dy faza dhe në dy koncepte. Në radhë të parë, vonesa në mbërritjen e recesionit – dhe vazhdoj t’i shkëpus këtu konceptin e recesionit nga ai i krizës financiare - demonstroi qartazi se sa e izoluar është ekonomia shqiptare nga ajo globale. Ndonëse në pamje të parë, mund të duket si një bekim i fshehur ky fakt, kur mendon për të gjithë aspektet e ekonomisë globale nga industritë e ndryshme tek teknologjia dhe inovacioni e deri tek tregjet e punës dhe të kapitalit, mosintegrimi në ekonominë e gjerë botërore na lë tepër mbrapa në të gjithë aspektet e zhvillimit.
Për më tepër, kriza financiare ka vonuar të mbërrijë në Shqipëri, por tashmë është e qartë që ajo nuk ka harruar të vijë. Të prekim për shembull vetëm një aspekt që është rezultat direkt i krizës: ngrirja e likuiditetit në sistemin bankar shqiptar. Praktikisht, bankat private në Shqipëri janë në pronësi nga bankat e huaja, kryesisht ato evropiane, të cilat po shpëtohen nga paketat e taksapaguesve evropianë dhe si rrjedhojë ai kapital nuk po hyn në Shqipëri. Rezultati është që sektori privat shqiptar nuk ka akses ndaj kapitalit, një nga dy burimet parësore për krijimin dhe rritjen e bizneseve gjë që ka konsekuenca negative për rritjen e ekonomike dhe të papunësisë.
Sa janë përmasat e kësaj prekjeje nga kriza, sapo kemi hyrë në tunelin e krizës, jemi në mes apo po shohim dritë në fund të tunelit?
Siç thashë më lart, kjo krizë sapo ka mbërritur dhe efektet e saj do të vazhdojnë të ndihen ndjeshëm gjatë 18 muajve të ardhshëm në të gjitha aspektet e sektorit financiar dhe më gjerë në ekonomi.
Ka një ide sipas të cilës kësaj radhe ndoshta ne shqiptarëve na ka mbrojtur disi shkalla e ulët e integrimit në ekonominë botërore, një lloj “bekimi i prapambetjes”. A është e vërtetë që ekonomitë e izoluara, janë ekonomitë më të mbrojtura nga kriza?
Mendoj që këtë pyetje e adresova më parë, kur parashtrova se kriza erdhi me vonesë, por ajo tashmë është këtu dhe me një forcë të plotë. Për më tepër, krijon mbi Shqipërinë edhe konsekuenca paradoksale. Në një periudhe ku përqindjet e interesit botëror janë më ulëtat në të gjithë botën, Shqipëria e ka aq vështirë për të gjetur hua, sa i duhet të paguajë për to një përqindje gjigante, në masën 11.3%. Për t’u dhënë një element kalibrimi, individët nëpër bote, profili i rrezikut të së cilëve është shumë, shumë më i vogël se sa ai i një shteti sovran, sot marrin kredi me interesat rreth 4.88%, ndërsa Shqipëria paguan 11.3%. Mendoj që shifrat flasin më qartë se çdo koment që mund të shtoj unë.
Mospranimi i krizës nga qeveria aktuale, është një gjest i duhur i sjelljes ndaj krizës, një gjest me natyrë elektorale apo ndoshta një “vetëvrasje” duke mos pranuar atë?
Shqipëria është para zgjedhjeve të përgjithshme, si rrjedhojë është e paqartë nëse mospranimi i kësaj krize është mungesë profesionalizmi për të kuptuar situatën reale apo një manovër elektorale. Ajo që mund të them me bindje është se ndryshe nga shumë aspekte të tjera sociale, rënia ekonomike e Shqipërisë në nivelin zero me pritshmëri për të shkuar deri në minus dy për qind, ndodh për herë të parë në Shqipëri në të paktën 10 vjet. Për më tepër, papunësia dhe rënia e fuqisë blerëse janë aspekte shumë reale për çdo familje si rrjedhojë nuk janë të nevojshme deklaratat qeveritare që shqiptarët të ndjejnë konsekuencat e krizës në Shqipëri.
Çfarë alternative ka dalja nga kriza në një vend si Shqipëria ku jemi njëkohësisht në një krizë permanente dhe kemi një krizë botërore, pra një krizë në katror?
Do të gënjeja në qoftë se do të thosha që është një problem i vogël si në kohështrirje ashtu edhe në masën e saj. Dalja nga kriza, ose siç e quani ju nga kjo kriza në katror, është një proces që do të hajë, të paktën 18 muajt e ardhshëm. Në aspektin imediat të likuiditetit, Shqipërisë do t’i nevojitet ristrukturimi total i kredive financiare për t’i transformuar ato në kredi me interes më të ulët dhe më afatgjata, duke krijuar kështu mundësi që likuiditeti të injektohet në ekonomi dhe jo për rripagesën e interesave të larta dhe kredive afatshkurtra.
Për nxjerrjen e mirëfilltë të ekonomisë nga kjo vorbull krize do të nevojiten paketa të mirëfillta shpëtimi ekonomik dhe akoma më e rëndësishme, një vizion totalisht të ri për zhvillimin e ekonomisë shqiptare dhe jo thjesht rritjen rutinë të saj. Ky është një diskutim më i gjatë se sa hapësira e kësaj interviste që në themelet e tij ka një mindset të ri dhe perëndimor të zhvillimit dhe fundit definitiv të periudhës 18-vjeçare të tranzicionit.
Çfarë “shkollash” ka për daljen nga kriza apo po mbizotëron ideja dhe alternativa përtej së majtës dhe të djathtës?
“Shkolla” më efikase në rastin konkret është ajo që sheh përtej politikave ideologjike me një sens real dhe pragmatik të daljes nga kriza dhe zhvillimit ekonomik shqiptar. Kriza është një problem që prek të gjithë Shqipërinë, gjithë popullin shqiptar dhe duhet të fokusohemi në një plan të ri që garanton rezultate reale pozitive dhe afatgjata. Për t’iu referuar shembullit që dhashë më parë, a mund të më thotë dikush nëse rinegocimi i kredive shtetërore është një politike e majtë apo e djathtë? Në pikëpamjen time, është politika e duhur dhe esenciale për situatën reale.
Ka shumë e shumë komente dhe këndvështrime për krizën që ka mbërthyer botën. Në fakt ka diçka që ka mbetur pa thënë?
Ajo çfarë ka munguar për të ndarë është një dozë optimizmi që mbas çdo krize vijnë periudha të shëndetshme ekonomike. Çfarë duhet theksuar akoma më fortë është fakti se kjo tkurrje ekonomike, për herën e parë në 10 vite, na jep një mundësi të rrallë për të punuar për zhvillimin real të ekonomisë shqiptare dhe jo të mbetemi në dorë të rritjeve dhe tkurrjeve rutinë të saj.