E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fratini: “Kërkesa e Shqipërisë miratohet brenda kësaj vere”

Autori i Lajmit: Plarent Shehu
Aplikimi për BE-në

Ministri i Jashtëm italian, Franko Fratini deklaron se Bashkimi Europian duhet të miratojë brenda kësaj vere kërkesën e Shqipërisë për në BE, duke thënë se ky vend nuk duhet lënë të presë në dyert e Europës, ndërkohë që vende si Islanda afrohen menjëherë. Sipas Fratinit, BE duhet të trajtojë njëlloj vendet në procesin e anëtarësimit në Unionin Europian, duke ju referuar rastit të Islandës, që vetëm një javë më parë miratoi një ligj për të nisur bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Europian. Fratini thotë se kërkesa e Shqipërisë për anëtarësim e paraqitur pak javë përpara zgjedhjeve, nuk duhet të mbetet e mbyllur në sirtarët e burokratëve në Bruksel. Ballkani , sipas Fratinit, nuk duhet të jetë i përjashtuar nga procesi i zgjerimit të Europës. Në fakt , së fundi zyrtarët e BE-së kanë shprehur bindjen se Ballkani ka ndryshuar dhe është më pozitiv drejt integrimit, por një ditë më parë, kreu i parlamentit europian theksoi se këto vende duhet të plotësojnë kushtet përpara se të anëtarësohen. Por ende nuk ka një datë për anëtarësimet e reja të vendeve të Ballkanit në BE, ndërkohë që edhe për liberalizimin e vizave procesi ishte selektiv. Islanda vetëm një javë më parë, vendosi të nisë bisedimet për në Bashkimin Europian. Fratini përsa i përket kërkesës për anëtarësim në BE të Shqipërisë tha se “duhet të sigurohemi se maksimumi brenda kësaj vere, Shqipërisë duhet t i pranohet kërkesa e saj për pranimin si vend kandidat për anëtar i BE-së. Mirë, Islanda duhet të hyjë në Evropë, por Shqipëria nuk mund të presë”, deklaroi Fratinit paraditen e djeshme në Trieste të Italisë, duke komentuar kërkesat e njëjta të Islandës dhe Shqipërisë, për hyrje në BE. “Kërkesa e Islandës, do të jetë objekt i shqyrtimit në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Evropës. Kjo është një gjë e mirë, dhe ne jemi dakord që Islanda të hyjë në familjen e madhe evropiane. Por kërkesa prej kohësh e avancuar e Shqipërisë, nuk duhet të mbetet e mbyllur në sirtarët e disa burokratëve në Brukselit”, - tha ministri Fratini. Fratin shtoi se Serbia do të paraqesë së afërmi të njëjtën kërkesë, që në të vërtetë Shqipëria dhe Mali i Zi e kanë bërë para disa kohësh. “Maqedonia është aktualisht një vend kandidat për anëtar i BE, kurse kërkesa e Malit të Zi, do të shqyrtohet shumë shpejt nga zyra e Komisionit Evropian”, tha shefi i diplomacisë italiane Fratini. “Ndërsa Bosnje-Hercegovina do të ndihmohet të vendoset edhe ajo në kushtet e hyrjes shpejt në Evropë, duke nisur pikë së pari me liberalizimin e vizave dhe më tej të paraqesë kërkesën e saj, siç kanë vepruar vendet e tjera të rajonit, Shqipëria dhe Mali i Zi”, tha Fratini. Në vijim të deklaratës së tij, Fratini, është shprehur se: “fundja ka ardhur koha të bëhet një konferencë e posaçme ku në rang kryetarë shtetesh e qeverish, të pohojmë publikisht, nëse duam apo nuk duam që Ballkani të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian. Italia, e dëshiron një gjë të tillë, por lipset një përgjegjësi maksimale në nivel politik për ta mbështetur këtë”, nënvizoi ai. Në përfundim, Fratini ka bërë edhe një propozim: “Një samit të kryetarëve të qeverive të vendeve ish-jugosllave dhe vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit dhe Danubit për të vendosur mbi hyrjen në Evropë të Shqipërisë, Malit të Zi, Bosnje-Hercegovinës”. Sipas tij, ky samit duhet të zhvillohet më muajt e parë të vitit të ardhshëm. Islanda do të paraqesë kërkesën më 27 korrik , në takimin e ministrave të jashtëm të BE-së, por më pas ky vend do të mbajë dhe një referendum për anëtarësimin final në Bashkimin Europian. Kur kjo të ndodhë, pritet që BE të bëjë një proces të shpejtuar për hyrjen e Islandës, dhe ky vend të bëhet anëtar në fund të vitit 2011.
Ky lajm është publikuar: 23/07/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›