E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: “Qeveria afera korruptive me kartat e identitetit”

Autori i Lajmit: Suela TopiPartia Socialiste vlerëson se pas tenderit të pritshëm për kartat e identitetit fshihen interesa dhe afera korruptive në përmasa po kaq të rënda sa dhe tenderi i rrugës Durrës-Kukës. Sekretari Organizativ në selinë rozë, Blendi Klosi, renditi një sërë argumentesh që, sipas tij, vërtetojnë se periudha deri në zgjedhjet e ardhshme është e pamjaftueshme për të prodhuar kartat e identitetit dhe regjistrin e zgjedhësve. Ai kundërshtoi edhe mënyrën e zgjedhur nga qeveria për pajisjen me karta identiteti pa realizuar më parë regjistrin kombëtar të votuesve. Deputeti socialist theksoi më tej se jemi në fund të muajit tetor, muaj kur kryeministri Sali Berisha kishte premtuar se do të hapte procesin e pajisjes së qytetarëve shqiptarë me karta identiteti, por që realisht asgjë nuk ka nisur. Sipas Klosit, tenderi dhe mënyra sesi po realizohet ai është pjesë e një linje shumë të errët korruptive me hije të forta dyshimi. Po ashtu, sipas sekretarit Organizativ në selinë rozë, ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, është një person nën presion të madh nga kryeministri Sali Berisha, për të firmosur ketë tender, i cili, sipas Klosit, do të ketë të njëjtin fat që pati dhe tenderi i firmosur nga ministri Lulzim Basha.
Deklarata
Sekretari Organizativ i PS-së sqaroi se grupi i tij parlamentar ka dashur të diskutojë problemin e pajisjes së shqiptarëve me karta identiteti edhe me kryeministrin Sali Berisha, të cilit prej dy muajsh i ka kërkuar interpelancë, por ka marrë përgjigje negative. Ai kujtoi më tej se në dy vjet qeverisje dhe më parë kur ishte në opozitë, Berisha ka premtuar se puna e tij e parë si Kryeministër do të ishte realizimi i Regjistrit Kombëtar të Zyrës së Gjendjes Civile, dhe më pas pajisja e të gjithë qytetarëve me karta identiteti. “Jemi në tetor në muajin e premtuar për të filluar ky proçes. Mbetet vetëm një vit e gjysmë nga dita e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, një kohë kjo krejtësisht e pamjaftueshme, jo vetëm për ne si deputetë opozitarë, por për këdo që kupton dhe di pak nga historia e kartave të identitetit”, - tha Klosi. Ai pohoi se ministri Nishani, i cili ka pohuar në Komisionin e Integrimit para disa muajsh se në qershor do të niste tenderi për kartat e identitetit, tani ndodhet nën presionin më të madh kryeministror sepse i kërkohet të realizojë një tender shumë të dyshimtë. “Një tender, i cili është i veshur me të njëjtën histori korrupsioni, si ai i Rrugës Durrës – Kukës. Një tender i cili do të prezantohet nga qeveria përsëri si një nevojë shumë e madhe kombëtare, si një patriotizëm i madh, që do i bëhet këtij vendi me kartat e identitetit”, - tha ai. Klosi, duke folur si ekspert i fushës, tha se mënyra e zgjedhur, ajo e pajisjes me karta identiteti, pa realizuar më parë Regjistrin Kombëtar të votuesve është një mënyrë e dështuar dhe e papërdorur në asnjë vend evropian. Duke renditur një sërë arsyesh për të vërtetuar këtë gjë ai pohoi se të dhënat e kartës së identitetit do të jenë të pasakta, pasi ato do të jenë të hedhura në mënyrë manuale dhe jo nga një data-base qendror. “Pasaktësia e hedhjes së të dhënave në kartë do të krijojë pasaktësi dhe dyshime në rastet kur të dhënat e kartës së identitetit janë të ndryshme nga të dhënat e Regjistrit Kombëtar të Zyrës së Gjendjes Civile si dhe do të rritet shumë mundësia e gabimeve”, - tha ai. Sipas tij, me këtë mënyrë regjistrimi të shtetasve do të na krijohet një identitet i ri i shtetasve shqiptarë, identitet i pavërtetuar me Regjistrat Kombëtarë të Zyrës së Gjendjes Civile, e cila në bazë të legjislacionit shqiptar, në bazë të praktikës shqiptare, si dhe në bazë të të gjithë historisë së Zyrave të Gjendjes Civile në vend është dokumenti i vetëm që vërteton identitetin dhe saktësinë e të dhënave, për secilin person në vendin tonë.

Ky lajm është publikuar: 27/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›