PS, Asamble tjetër për bojkotin. Blushi: Në mars futem në Kuvend

Diskutimet pas dyerve të mbyllura. Manjani sulmon Ramën, ndërsa Zela kërkon strategji
Debate të ashpra janë zhvilluar dje në pjesën e dytë të mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, nga anëtarët e këtij forumi që janë pjesë e Lëvizjes për Mendimin Ndryshe. Thelbi i këtyre diskutimeve bazohej në kërkesën për rishqyrtimin e vendimit të PS-së në lidhje me bojkotin e Parlamentit. Por drejtuesit e PS-së kanë bërë të ditur se kjo pikë do të diskutohet në mbledhjen e ardhshme të asamblesë. Kjo ka acaruar gjakrat dhe ka sjellë në reagimin ekstrem të deputetëve të LMN-së, të cilët me gojën e kreut të kësaj lëvizjeje, Ben Blushi, kanë bërë të ditur se në fillim të marsit ata do të hyjnë në Kuvend edhe nëse PS do të vendosë për vazhdimin e bojkotit. Duke nënvizuar se bojkoti rezultoi një strategji e gabuar, Blushi tha se nuk do të lejojë që mandati i fituar nga votat e 28 qershorit të digjet.
“E theksoj, pavarësisht nga vendimi që do të marrë grupi parlamentar, i cili nuk kam arsye ta paragjykoj, unë do të jem në Parlament javën e parë të marsit. Asambleja duhet të diskutonte për bojkotin që rezultoi një strategji e gabuar. Unë nuk do djeg mandatin tim”, u shpreh Blushi. Sipas tij, PS ka disa muaj që nuk është në Parlament dhe kjo çështje duhet të shtrohet sa më shpejt për zgjidhje dhe të merret një vendim, pasi jemi në kushtet kur arsyet për të bojkotuar Parlamentin nuk janë më të justifikueshme edhe në kontekstin e kësaj përmbytjeje. Ndërsa brenda mbledhjes kanë diskutuar Arben Malaj, Ylli Manjani dhe Ilir Zela. Në fjalën e tij, deputeti Malaj ka deklaruar se nuk mund të quhen tradhtarë ata që kërkojnë zbatimin e Kushtetutës për mandatet, por ata që ndryshuan Kushtetutën brenda 2 orësh. Ndërsa Ylli Manjani ka deklaruar se “duhet t’u vijë turp për pafytyrësinë që tregoni duke i kërkuar llogari publike Prokurorisë, ndërkohë që keni bërë një ligj me Berishën, që ia mbylli gojën këtij organi dhe e vendosni atë nën kontrollin e plotë të qeverisë. Dhe këtë ligj nuk e bëtë për konsensus, por menduat që kur jeni në pushtet ta kontrolloni prokurorinë dhe jo ta pavarësoni atë.
Kjo është e vërteta që fshihet pas deklaratave tuaja ndaj prokurorisë”. Ndërsa Ilir Zela ka bërë thirrje për hartimin e një strategjie e cila do të krijonte një frymë të re në PS. Sipas Zelës, socialistët që prej vitit 2003 po humbin energji mes vetes, duke përjashtuar figurat e spikatura të kësaj force politike. Në fjalën e tij për gazetarët, Manjani ka shkuar më tej duke e akuzuar liderin socialist, Edi Rama, si të dështuar në drejtimin e opozitës. Ylli Manjani ka theksuar se PS është kthyer në një organizatë joqeveritare. Në mbledhjen e djeshme të Asamblesë së PS-së, përveç pjesëtarëve të LMN-së dhe Zelës, nuk ka pasur diskutime të tjera apo replika mes anëtarëve. Mbledhja është mbyllur dje, për t’u hapur pas disa kohësh, ku do të diskutohet me hollësi rendi i ditës që ishte lënë për dje, por që u shty për shkak të përmbytjeve. Ky rend dite është niveli i demokracisë dhe shtetit të së drejtës në vend. Në këtë mbledhje pritet që të flitet edhe për vendimin mbi bojkotimin e Parlamentit nga ana e PS-së.
#