Krenar Zejno
Piktori vlonjat, Zini Veshi, pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar “Onufri 2009”, flet për pikturën, si vjen dhe si përcillet ajo në konceptin e tij e, mbi të gjitha, si vlerësohet ajo në “kohën tonë”. “Arti tani është zhveshur nga thelbi i tij, dhe nga tipari themelor i jetës së tij: nga ekskluziviteti i vet i pamëshirshëm. Tani është bërë inkluziv dhe në gjakun e tij kanë hyrë masat e stërmëdha të mediokërve. Ky është tipari i kohës tonë: zhvendosja e artit jashtë natyrës së tij, që do të thotë vdekja e tij”, komenton piktori
Konak fjale art me piktorin Zini Veshi
Thotë se jeta e artistit është një sakrificë e pafund, se vepra e artit dhe realiteti janë dy gjëra krejt të ndryshme, thotë gjithashtu se në art mbisundon vetëm cilësia. Ai gjithashtu është i mendimit se në themelet e ndërtesës së artit është kontradikta e madhe dhe e pazgjidhshme e elementëve kontrastues. Kushdo që ka gjetur zgjidhje përfundimtare ka kryer vetëvrasje. E vetmja zgjidhje është të jetuarit së bashku e elementeve të kundërta... Këto janë vetëm disa prej detajeve të një bashkëbisedimi të ndjerë dhe të thellë, ku piktori vlonjat, Zini Veshi, pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar “Onufri 2009”, me veprën me tri akte të titulluar “Snapshot”, rreh mendimet dhe parashtron idetë e tij.
Falënderime dhe urime për pjesëmarrjen në ekspozitën “Onufri – dëshirë dhe dëshmi”. Me shpresën se konaku i bisedës do të na shkojë mbarë edhe për nxënie, pikësëpari e sa për nxehje: domethënia e një piktori është ajo që ai mbërrin në tablo, apo ajo çka do të donte të mbërrinte, kur vepra diku e dëshmon atë?
Padyshim, domethënia e një piktori është e lidhur me rezultatin e punës së tij, të paktën për momentin, domethënë me çka ai arrin në tablo. Vepra e tij – pika ku ai mbërrin – është pasqyrë e tërë subjektivitetit të tij dhe ka hapësira shumë më të mëdha sesa në rastin kur vepra arrin të dëshmojë dëshirat e artistit, qoftë edhe thellësisht. Dëshirat, të çfarëdo forme qofshin, janë tepër të përcaktuara dhe si të tilla bëhen, në një farë mënyre, pengesë për piktorin, mbasi kështu ai synon që në fillim stacionin ku do të arrijë. Pa filluar ende të pikturojë, di fundin, rezultatin. E kjo bëhet një formë të menduari dhe të operuari tepër e konturuar, tepër e mbyllur, tepër e palirë, tepër e ngurtë.
Rasti tjetër - kur artisti identifikohet me atë çka arrin në veprën e tij, të bën të mendosh që rezultati i punës së tij nuk është thjesht fryt i ideve fillestare, por edhe i fenomeneve që hasen gjatë rrugës rastësisht, spontanisht; mundësi të reja të pa paramenduara, që lindin në punë e sipër. Dhe këto janë të një rëndësie të pamat për artistin-piktor, sepse në këtë mënyrë vepra mund të bëhet më komplekse dhe pasurohet pa fund. Një vepër arti e ndërtuar në mënyrë të tillë nuk ka ndonjë stacion të fundit për të ndalur, është më tepër si një spirale e pafund shtresash pikture dhe thjesht është ndërprerë në një moment të caktuar; vepra bëhet “pikturë-proces”, që pasqyron rrugën se si u ndërtua, bëhet dëshmi e: “çfarë ndodh në rrugë e sipër”; si një lum i rrëmbyer që krijon vetveten, duke marrë gjatë rrjedhës ç’të mundë.
Cili do të ishte ai çast i lumë i plotërisë së tablosë, ku vektorët e forcave në të arrijnë të vendosin një paqe, në mos përfundimtare të paktën një, si të thuash, armëpushim?
Kur u pyet Jackson Pollock se si e kuptonte kur puna kishte mbaruar, u përgjigj duke pyetur: si e dini se kur mbaroni së bëri dashuri? është vërtet moment i vështirë në fakt. Gjatë procesit të pikturës, artisti mund të afrohet shumë me punën e tij, duke humbur kështu distancën e domosdoshme midis tij dhe veprës. E vështirë ta shpjegosh; mbetet një fenomen që nuk ka të bëjë shumë me intelektin, është më tepër i lidhur me botën e sensacioneve, ndjesive dhe intuitën.
Me ç’duket, letërsinë na e bën këmbimi, ndeshja, paqtimi dhe udhakimi i përbashkët i fjalëve vargan, që më tej shtrihen, shtriqen, ngrihen, ndahen dhe secila kërkon hisen e vet të diellit, mandej të shtegut ku prapë diku takohen, e kështu më tej. Dhe ku ndjenja, frymërima, ritme e rima përplasen, puqen e luajnë… Piktura?
Kjo lojë e pafund dhe intensive e elementeve është thelbi i pikturës, është zemra e saj, shtrati i saj abstrakt. është, si të thuash, një lojë-betejë, ku gjithçka është kundër gjithçkaje: kolori kundër kolorit, linja kundër linjës, vektorët e forcave kundër njëri-tjetrit, materialiteti i mediumit të përdorur kundër gjithçkaje që cenon natyrën e vet, figuracioni kundër çdo gjëje që shqetëson figurshmërinë e tij, etj. Një betejë homerike ku të vrarët ngrihen nga pluhuri dhe luftojnë prapë, shtyjnë, godasin, kafshojnë dhe përqafojnë njëri-tjetrin. Dhunojnë hapësirat e tyre: deformojnë, ekzagjerojnë dhe kafshërojnë konfigurimin e tyre. Të duket sikur një zë ulërin nga dhimbja në një cep të tablosë dhe një këngë qiellore ndihet në anën tjetër; një trompetë lufte çan qiellin në të majtë, një vello e tejdukshme bie në tokë në të djathtë; një dënesë e ndërprerë ndihet nga sfondi (background), një e qeshur e dhjamosur imponohet në foreground. Gjithçka ndodh përpara nesh, në një hapësirë të ngushtë dhe pa thellësi. Gjithçka përsëritet pafundësisht nën një ritëm gotik dhe të krijon sensacionin e një simfonie qiellore; gjithçka përsëritet përherë nën një ritëm romanesk dhe të krijon ndjesinë e një konstruksioni grotesk. Ritëm nëpërmjet përsëritjes. Përsëritje e pafund e elementeve me jetë të dyfishtë.
Epokat risjellin e përsërisin edhe mosmarrëveshjen midis të bërit të veprës së artit plot elemente jete të dyfishtë dhe ujdisë me realitetin për ta deshifruar, shpallur, bërë të njohur, gjer dhe shitur atë materialisht a shpëtuar moralisht. Ujdisja e kësaj pjese reale të jetës së dyfishtë të veprës, pas pjelljes së saj i takon pra edhe administrimit nëpër ingranazhet e realitetit me të cilin, në fakt, arti është i përkundërt. Arti, sidomos piktura, në dekadat e fundit është derivati brenda caqeve normal i kësaj përplasjeje, apo një krizë më e thellë dhe pesimiste se kaq?
S’ka si të ishte ndryshe, vepra e artit dhe realiteti janë dy botë krejt të ndryshme. Para së gjithash, në realitetin njerëzor mbisundon mesatarja, në art vetëm cilësia ka vend dhe mundësisht sa më e lartë. Së dyti, vepra e artit është thellësisht krijuese, dhe operon gjithmonë me elementë e ndërthurje të reja (e panjohura është tepër e kërkuar); realiteti i njerëzve është i orientuar më tepër rreth përsëritjes së strukturave të njohura mirë, dhe mundësisht pa surpriza. Së treti, vepra e artit nuk ka ndonjë kuptim ose qëllim utilitar, në realitetin njerëzor vetëm objekt–komoditetet kanë kuptim. Për më tepër, problemi vështirësohet dhe më shumë me artin e pikturës, që është i vështirë për t’u kuptuar dhe kaq shumë i keqkuptuar.
Gjërat ndryshojnë kryekëput nën pikëpamjen e individit të veçantë ku arti merr kuptim dhe bëhet i domosdoshëm. Individë me predispozicion për të kuptuar e ndjerë veprën e artit, të kultivuar dhe me eksperiencë në këtë fushë, kanë nevojë psikologjike e shpirtërore për artin e pikturës, për heshtjen e saj të zhurmshme, për rrezatimin e saj plot mister. Këta bëhen atdheu i artistit. E kundërta ndodh me komercializimin e tij. “Arti” nën këtë qiell të ri nuk është më shprehës i lartë i simfonisë madhështore të kohës së vet, por thjesht i nënshtrohet idesë së marketingut: kërkesë-ofertë si çdo objekt tjetër. “Arti’ tani është një ndër të shumtit objekt-komoditetet e realitetit njerëzor. Nuk është më një dukuri tepër speciale dhe e veçantë e jetës. Tani gjithçka është art dhe gjithkush është artist e mund të bëhet i famshëm të paktën për 15 minuta. “Arti” tani është zhveshur nga thelbi i tij dhe nga tipari themelor i jetës së tij: nga ekskluziviteti i vet i pamëshirshëm. Tani është bërë inkluziv dhe në gjakun e tij kanë hyrë masat e stërmëdha të mediokërve. Ky është tipari i kohës tonë: zhvendosja e artit jashtë natyrës së tij, që do të thotë vdekja e tij.
Piktura ka një jetë të vetën dhe piktori rreket ta ndihmojë që ajo të shfaqet, apo piktura kujdeset që të shpërfaqë vërtetësisht e të sublimojë në kanavacë jetën e piktorit? Artisti pikturon jetën e vet apo jetëson pikturën predikat që ka lindur me të?
Janë të dyja të vërteta, edhe pse kontestojnë njëra-tjetrën. Natyrisht që artisti pikturon jetën e vet, subjektivitetin e vet, psikikën e vet dhe ngjarjet, ndodhitë, idetë dhe fenomenet që ndodhin brenda kafkës së tij. Në të njëjtën kohë përjeton dhe jetëson veprën e artit që ka lindur me të. Të dyja krijojnë njëra-tjetrën: psikika e artistit hyn në mbretërinë e artit, kupton dhe respekton ligjet e kësaj bote dhe në të njëjtën kohë ushtron influencën e vet mbi to, i ngjyros, si të thuash, me mëvetësinë dhe veçanësinë e vet. është si dielli që zhytet në oqean. është po aq e vërtetë që arti, piktura, ka dimensionet e veta, universin e vet dhe nuk mund të përdoret thjesht për të ilustruar jetën e artistit. Artisti-piktor nuk bën gjë tjetër gjatë jetës, por mundohet ta kuptojë dhe ta ndihmojë këtë botë të vijë në jetë dhe të shfaqet sa më plotësisht, sa më lartësisht të jetë e mundur, nëpërmjet një pune dhe dedikimi të jashtëzakonshëm plus talentin që i është dhënë në mëngjes të jetës së tij. Jeta e artistit nga kjo pikëpamje është një sakrificë e pafund, mundim dhe dëshirë e pambarim, përpjekje intensive dhe epifani e papërshkrueshme; jeta dhe bota e tij është e nxehtë dhe e akullt, në të njëjtën kohë. Megjithatë në mënyrën më absolute artisti piktor, me artin dhe veprën e vet, i jep formë dhe jetëson pikturën që ka lindur me të, fillimisht një “bërthamë”, por me mundësi që të rritet, të pasurohet, e të bëhet një univers më vete.
Vepra me tri akte, “Snapshot”, në “Onufri” është edhe zhvillim drejt “më pak së figurshmes” në raport me aktet e mëparshme me të cilat ruan thelbin narrativ, por gjithnjë e më pak përshkrues. Ishte rasti që më qartësoi më tepër vërejtjen e Pikasos: “Arti abstrakt nuk ekziston. Ju gjithmonë duhet të filloni me diçka, pastaj mund ta ftilloni duke larguar vazhgët e realitetit”.
De Kooning e ka shprehur në këtë mënyrë paradoksin e përjetshëm të pikturës: “(piktura) nuk ka kuptim pa të (figurën), dhe nuk ka kuptim me të. Në themelet e ndërtesës së artit është kontradikta e madhe dhe e pazgjidhshme e elementëve kontrastues. Kushdo që ka gjetur zgjidhje përfundimtare ka kryer vetëvrasje. E vetmja zgjidhje është të jetuarit së bashku e elementeve të kundërta. Në procesin e pikturës ka momente të mrekullueshme, ku gjithçka qëndron me njëra-tjetrën, ka momente ku gjithçka vibron së bashku si në një simfoni madhështore. Janë dy tendenca në pikturën time, që janë në luftë të vazhdueshme me njëra-tjetrën. E para është prirja drejt një pikture absolutisht abstrakte dhe e dyta është dëshirë për të figurshmen (figurën e njeriut në veçanti). Shtrati abstrakt shpreh vetveten përgjithësisht nëpërmjet tre elementeve përbërës: struktura kromatike, vektorët e forcave dhe cilësia e mediumit. Të tre këta faktorë kanë natyrë abstrakte dhe janë të mjaftueshëm për të ndërtuar veprën. Të tre përbëjnë trinitetin abstrakt të artit të pikturës. Elementi i katërt, figura, vjen nga një botë tjetër, nga të tjera dimensione dhe futet në hapësirën e ngushtë të tablosë. Nga vetë natyra nuk është abstrakt dhe ka ligje të tjera të shprehuri. Së bashku me faktorët e tjerë përbën elementin e katërt të pikturës, ose më saktë bashkësinë 3+1. Këto janë dy orkestra të ndryshme që mundohen të lozin në të njëjtën shkallë. Kështu figurat janë skematizuar dhe gjeometralizuar që t’i përshtaten më mirë konstruktit abstrakt të pikturës. Në këtë mënyrë është bërë e mundshme që marrëdhëniet mes tyre të mos shprehen nëpërmjet narracionit, por nëpërmjet mjeteve formale të koloritit, linjës, formës, kompozimit dhe nëpërmjet kontrastit në ekspresionin e tyre. Në fakt, nuk është figura që mundohet të zërë vend në hapësirën haptike (haptic) të pikturës, por ekspresioni i saj hyn në marrëdhënie me lëvizjen e vektorëve të forcave që popullojnë rrafshin e tablosë.
Por ka një ngërç, veç të tjerash edhe terminologjie e kultivimi leksikor, që shfaqet shpesh në konceptualizimin e bisedës për një tablo. Ndoshta një tjetër herë do të ishte e nevojshme të sqarohej më gjerë kjo hapnajë ngërthimi e kapjes perceptive të “haptic space” dhe ai akt akut i rrokjes ndjesore të shpalosjes së tablosë, ku shihet e përfshihet në një çast përmbajtja e telajos, prej së cilës duket edhe sikur diç të sheh! Atribut të cilin vepra letrare nuk ta lejon në mënyrë imediate. Por ndoshta për të kuptuar këtë, mbetet më së pari problematik ambiguiteti i termit “sfond” në gjuhën shqipe dhe pamjaftueshmëria e korrespondentit të saktë “fond”; në sensin e raportit të thellësisë me sipërfaqen, apo thellësisë në sipërfaqe; gjë që bën të lëngojë edhe diskuri mbi formën e përmbajtjen, themelin, fasadën, brendinë, perspektivën a syprinën e tablosë, si dhe shpërfaqjen e daljen e tyre në pah. Megjithatë, le të gjejmë një rrugëdalje formale për të folur për raportet e këtyre në jetën e një pikture. Dhe shpresën për një konak bisede në të ardhmen...
Analiza e formës së një vepre arti është akti më i rëndësishëm mbas kryerjes së saj. Së pari, të bërit e kësaj analize nga vetë artisti hedh dritë mbi elemente, marrëdhënie dhe struktura që vijnë në jetë krejt spontanisht, aksidentalisht. Fakti që këta faktorë (të cilët vijnë nga zona të errëta të subjektivitetit të artistit) janë kuptuar nga intelekti është e një vlere të pallogaritshme për zhvillimin artistik të piktorit. Së dyti, po aq vitale është të shprehurit, të artikuluarit, të komunikuarit e këtij përftimi. Të bërit të kuptueshme të problemeve formale të pikturës kërkon një gjuhë tepër të specializuar, një leksik të pasur dhe me opsione dhe një terminologji specifike. Sa më lartë të jenë arritur këto kondita, aq më krijuese dhe interesantë do të jetë edhe shpjegimi i formës së pikturës. Së treti, gjatë procesit të formulimit të pikturës, ide të reja shfaqen, të cilat bëhen ushqim për punët e ardhshme. Konkretisht, në artin e pikturës, marrëdhëniet e thellësisë dhe sfondit janë bazë për krijimin e hapësirës piktorike. Mënyra se me çfarë mjetesh formale është krijuar kjo hapësirë përcakton karakterin dhe tipin e veprës. Në rastin tonë, fjala sfond përcakton në një farë mënyre hapësirën iluzore, që zhvillohet thellë e përtej kufirit të planit të telajos. Por i mungon fjala për planin e parë dhe është mjaft keqardhëse për arsye se është shumë shprehëse për marrëdhëniet optike të pikturës. Në anglisht këto marrëdhënie janë të shprehura nëpërmjet lidhjes së fjalëve “background – foreground”. Ndryshe nga lidhja “parasfond – sfond”, “background - foreground” shpreh fizikalitetin e dukurisë dhe karakterizon më tepër hapësirën haptike (haptic space) të pikturës. Siç dihet, në pikturën moderne rrafshi i telajos është kufiri i hapësirës së vet. Ajo zhvillohet nga plani i prapmë (background) drejt planit të përparmë (foreground). Në shqip kjo dukuri mund të shprehet me marrëdhënien midis planit bazë dhe planit të përparmë. Në këtë mënyrë i përgjigjet më mirë materialitetit dhe cilësive karakteristike të mediumit të përdorur. Në këtë hapësirë klaustrofobike janë shtrydhur të gjitha elementet formale të përdorura nga piktori. Në këtë hapësirë të ngjeshur është presuar tërë universi i artistit-piktor. Në këtë hapësirë të cekët zhvillohet tërë drama e artit modern. I njëjti fenomen që ndodh edhe në letërsi. Xhojs në veprën e vet “Uliksi” a nuk e sjell tërë historinë e njerëzimit në plan të parë? Gjithçka zhvillohet në dritën e së tanishmes dhe jo në thellësinë e së shkuarës.
Zhvillimi i kritikës së pikturës do të sjellë edhe zhvillimin e gjuhës dhe terminologjisë që përdoret për shpjegimin e saj. është ky një zhvillim që nuk mund të vijë vetëm me përpjekjet individuale, por me pjesëmarrjen e individëve me aftësi dhe inteligjencë të lartë. Që vijnë nga fusha të ndryshme: shkencë, filozofi, letërsi, muzikë dhe pikturë. Vetëm duke folur për artin, duke komentuar e analizuar veprat e njëri-tjetrit bëhet e mundshme zhvillimi i kritikës. Në të njëjtën kohë krijohet edhe mjedisi artistik aq i nevojshëm në kohën tonë.
Ashtu qoftë!
#