Shembet "Ura e Lufit", pesë komuna mbeten të bllokuara
Pesë komuna, katër në Rrethin e Matit dhe një në atë të Dibrës, kanë mbetur të bllokuara nga shembja e një ure. Ngjarja ka ndodhur dje, në orët e para të mëngjesit, kur njëri krah i "Urës së Lufit" në fshatin Zenisht është shembur plotësisht, duke bllokuar kalimin e automjeteve dhe kalimtarëve. Mësohet se shkak është bërë rrëshqitja e tokës, pas reshjeve të dendura të shiut të ditëve të fundit. Pas informacionit të marrë, Policia e Komisariatit të Burrelit ka shkuar në vendngjarje ku ka bërë bllokimin e lëvizjes së automjeteve në të dyja anët e urës. Si pasojë e kësaj, rreth 20 mijë banorë të komunave Rukaj, Derjan, Macukull dhe Lis, të Rrethit të Matit dhe Selishtë të Rrethit të Dibrës, kanë mbetur të bllokuara. Të ndodhur përpara kësaj situate, udhëtarët në të dy krahët e urës janë shkëmbyer në furgonët respektivë, në të dyja anët e urës së shembur, gjë që ka mundësuar lëvizjen e tyre në destinacionet e dëshiruara. Shoferët transit të furgonëve që lidhin këto komuna me Burrelin, qendër e Rrethit të Matit, pohojnë se Ndërmarrja e Rrugëve Rurale Mat, që varet nga Këshilli i Qarkut Dibër, ka treguar pak kujdes për mirëmbajtjen e rrugëve rurale, të cilat janë lënë në mëshirë të fatit. Kështu në këto rrugë nuk bëhet fjalë për mbushje gropash, por as për kanale anësore që nuk kërkojnë investime. Këta të fundit mungojnë në të gjitha segmentet që janë pjesë e këtyre rrugëve. Një gjendje e tillë ekziston jo vetëm në këtë rreth, por edhe në atë të Bulqizës. Reshjet e dendura të shiut të këtyre ditëve kanë shkaktuar mjaft vështirësi për lëvizjen e lirë të automjeteve dhe për pasojë edhe të banorëve, jo vetëm për këto pesë komuna, por për të gjitha zonat rurale, për shkak të neglizhencës së ndërmarrjeve të rrugëve rurale të këtyre rretheve.
Hy.Li.
Hy.Li.