Gjirokastër, uji mbulon tokat bujqësore
Reshjet e dendura të shiut, që kanë përfshirë prej tre ditësh rajonin jugor të vendit, kanë shkaktuar daljen e përrenjve dhe lumit Drino nga shtrati, duke përmbytur sipërfaqe të shumta të tokave bujqësore në zonat fushore të luginës së këtij lumi në afërsi të Valaresë në Gjirokastër. Burime të Zyrës së Emergjencave Civile në prefekturë dhe në administratat e komunave të Lunxhërisë dhe Antigonesë, që kanë ndjekur nga afër situatën, thanë për "Shqip" se nga vërshimi i lumit Drino janë përmbytur rreth 80 hektarë tokë bujqësore. Vërshimi i ujërave në sipërfaqet e tokave bujqësore ka ardhur si rezultat i amortizimit dhe ndërhyrjeve njerëzore në digat dhe pritat argjilore të ndërtuara vite më parë nga firmat dhe individët që përdorin inertet e shtratit të lumit si lëndë të parë për ndërtime. "Në disa vende, ku mjeteve të transporti u duhet të zbresin në shtratin e lumit Drino për të tërhequr inerte, digat dhe pritat ujore janë eliminuar me mjete të rënda, për të hapur rrugën e lëvizjes së fadromave dhe mjeteve të transportit të inerteve. Gjatë dimrit, kur reshjet e shiut janë të vazhdueshme, situata bëhet e papërballueshme dhe tokat bujqësore mbulohen për javë dhe muaj të tërë nga vërshimi i rrjedhës së lumit", thotë një banor i fshatit Valare. Nëse reshjet zgjatin për disa ditë, sipërfaqja e tokës bujqësore të mbuluar nga ujërat e lumit Drino arrin në më shumë se 150 hektarë dhe për këtë arsye këto toka kanë vite që nuk mbillen dhe kultivohen. Ndërkaq, edhe disa përrenj malorë që ushqejnë me ujë lumenjtë e Vjosës dhe Drinos, kanë dalë nga shtrati dhe kanë shkaktuar përmbytje të tokave bujqësore në Gjirokastër, Tepelenë dhe Përmet. "Deri më tani, reshjet dhe përmbytjet nuk kanë shkaktuar bllokim të lëvizjes në akset rrugore të Qarkut të Gjirokastrës, por grupet e emergjencës të pushtetit vendor janë në kontakt të përhershëm me kryetarët e komunave dhe kryepleqtë e fshatrave dhe në gatishmëri për të marrë masa në terren që, nëse situata përkeqësohet, të ndërmerren veprime në ndihmë të banorëve për të lehtësuar qarkullimin", tha një nga punonjësit e zyrës së emergjencave në prefekturë.
En.Se
En.Se