E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braktiset nga nxënësit dhe mësuesit arsimi publik

21/09/2009  Drejtori i DAR Fier Tahiri: Klasa me nga 10 nxënës. Fierakët sytë nga shkollat private

FIER- Ulet ndjeshëm frekuentimi i shkollave publike për rrethin e Fierit. Më të prekura nga braktisja e shkollave shtetërore janë qendra urbane si qytetet, apo dhe qytezat si ajo e Patosit dhe e Roskovecit, ndërkohë që në shkollat publike të fshatrave për herë të parë këtë vit është shënuar ulja e numrit të nxënësve. Braktisjen e arsimit publik në Fier e pranon edhe drejtori i Drejtorisë rajonale të Arsimit, Tahir Kastrati, i cili ka deklaruar se një fenomen shumë shqetësues për shkollat e të gjitha niveleve të rrethit të Fierit është numri i ulët i nxënësve për një klasë.

Braktisja

Të gjitha sistemet arsimore janë prekur nga ikja masive e nxënësve drejt shkolla private. Përmendim këtu se si arsimi fillor, edhe ai 9-vjeçar si dhe i mesëm po shënojnë sot një numër të ulët nxënësish. Ndërsa në shkollat private ose jopublike numri i nxënësve të të gjitha sistemeve arsimore është dyfishuar dhe në institucione të veçanta është trefishuar.

“Kemi edhe klasa këtu në qytet që regjistrojnë deri dhe 10 nxënës. Kjo është me të vërtetë për t’u studiuar nga autoritetet arsimore me qëllim frenimin e fenomenit në fjalë. Nga viti në vit ky fenomen është thelluar deri sa ka regjistruar këta tregues këtë fillim vit”, është shprehu Tahir Kastrati. Në krahasim me vitin e kaluar arsimor numri i nxënësve të larguar nga shkollat publike shkon deri në 4 000 të tillë. Ky kontingjent i lartë nxënësish i është drejtuar shkollave jopublike. Shifra është dhënë nga kreu i DRA-së së Fierit, i cili sqaron se tek kjo shifër nuk është përfshirë numri i maturantëve që kanë lënë bankat e shkollës gjatë vitit ta kaluar arsimor. Por në Fier numri i shkollave private është më i larti në vend dhe krahasohet me kryeqytetin Tiranën. Në Fier një shkollë jopublike nga 38 të tilla që ka gjithsej rrethi regjistron deri dhe në 5 mijë nxënës. Ndërsa ka shkolla private që kanë edhe 100 nxënës, apo përkthyer në klasa në afro 4 të tilla.

Synimi i një shkolle private në Fier është niveli mësimdhënës që ato paraqesin, por edhe mjediset e tyre. Dikur shkolla të veçanta në Fier kanë pasur stafe pedagogjike të njohura dhe me përvojë, stafe që sot janë thithur nga shkollat publike. Këtë fenomen arsimtarët më të vjetër të Fierit e justifikojnë me reformat e kryera në arsim, të cilat nuk kanë rritur cilësinë e mësuesve, por kanë ulur ndjeshëm nivelin e tyre dhe për pasojë edhe të nxënësve.

Flasin mësuesit

Kaosi, prej politikave të orientuara drejt bindjeve partiake

“Ka shkolla që kanë qenë me emër në qytetin e Fierit dhe të rrethit. Emri i tyre ka ardhur nga prania e dhjetëra mësuesve të fortë dhe me përvojë, të cilët nga reformat e vazhdueshme në arsim e kanë humbur vendin e punës dhe janë detyruar që të shkojnë në sektorin privat. Jo vetëm reformat pafund të arsim, por edhe kushtet që paraqesin sot shkollat shtetërore bëjnë që ato të konkurrohen denjësisht nga shkollat private”, është shprehur Thoma Miço, mësues i vjetër. “Deri sa militantët të mbushin shkollat në qytet dhe deri sa ata të bëjnë politikat arsimore në rreth do të kemi edhe zhdukje fare të shkollave shtetërore. Ky është vetëm fillimi i shkatërrimit të arsimit tonë”, është shprehur Kristina Godulla, mësuese fizike, sot në prag të pensionit. Nga ikja masive e nxënësve janë prekur edhe shkollat dikur më me emër në Fier si “Andon Xoxe” e sistemit 9-vjeçar ku këtë fillim vit arsimor, vetëm nga një klasë e pestë kanë ikur plot 17 nxënës. Drejtoria Arsimore po inspekton mundësinë e një lidhjeje mes drejtuesve të arsimit publike me ata jopublik për bashkëpunim mes tyre në mënyrë të fshehtë me qëllim braktisjen e arsimit shtetëror. Konfirmohet se DRA- ja Fier po “heton” disa drejtues shkollash, të cilët propagandojnë për shkollat private tek prindërit e nxënësve dhe kundrejt kësaj propagande që në pothuaj të gjitha rastet ka dhënë rezultat ata kanë përfituar pjesën e premtuar. E si masë konkrete për t’i vënë fre fenomenit të braktisjes së shkollave publike DRA-ja Fier është gati duke nxjerrë masën e moslejimit të dhënies së shpërnguljes për ata nxënës që kanë nisur në shkollë shtetërore këtë vit arsimor. Numri i shkollave në rrethin e Fierit është 124 të tillë dhe nga braktisja janë prekur edhe kopshtet deri dhe çerdhet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›