E Diel, 1 Nëntor 2026

PS, Bello: Ligji do ankimohet në Kushtetuese

 

Partia Socialiste rikonfirmon qëndrimin për të ankimuar ligjin “Për hapjen e dosjeve” në Gjykatën Kushtetuese. Deputeti socialist Marko Bello në konferencën e djeshme për shtyp deklaroi se, “Partia Socialiste e quan antikushtetues këtë ligj dhe ne nuk bëhemi palë me një ligj që shkel hapur Kushtetutën e vendit”. “Ne këtë ligj do ta ankimojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe do të presim vendimin e kësaj gjykate. Madje, s’do marrim pjesë në komisionin e verifikimit”, deklaroi Bello. Ligji “Për verifikimin e zyrtarëve të lartë dhe të zgjedhurve” prej dy ditësh hyri në fuqi, por socialistët janë të qartë në qëndrimin e tyre për ta animuar në gjykatën më supreme në Shqipëri. Nënkryetari i grupit të PS-së, Erjon Braçe, dy ditë më parë deklaroi se, “nuk ka asnjë dyshim që ligji për hapjen e dosjeve do të ankimohet në Gjykatën Kushtetuese”. Socialistët gjithashtu reaguan edhe ndaj qëndrimit të KE-së mbi ligjin e dosjeve. Kreu i PS-së së Tiranës, Besnik Bare, e cilësoi gënjeshtar kryeministrin për qëndrimin e ndërkombëtarëve për ligjin e dosjeve. “Kemi këto gjëra për Sali Berishën. E para, gënjeu kur tha se ligji i dosjeve është me standarde evropiane, sepse sot, Sekretari i Përgjithshëm i KE-së tha të kundërtën. E dyta, gënjeu kur tha se prioriteti i tij është pajisja me karta, sepse ditë për ditë po vërtetohet që qeveria s’ka as plan, as kalendar, as shqetësim maksimal, për këtë çështje jetike për Shqipërinë e vitit 2009", tha Bare. Gjithashtu ai theksoi se, “kryeministri gënjeu edhe kur tha se ratifikimi i MSA është meritë e qeverisë”. “Kjo, sepse MSA u ratifikua falë të gjitha kontributeve në vite të të gjitha palëve dhe nëse u vonua kaq shumë, një ndër shkaktarët kryesorë është vetë Sali Berisha, simboli i një politike të vjetër, që prej 18 vjetësh i ka lënë shqiptarët, jo vetëm pa drita, pa ujë, pa punë, por së fundmi ua merr taksat për të reklamuar gënjeshtrat e qeverisë së tij”, theksoi Bare. Ligji i Dosjeve parashikon që Komisioni i Verifikimit të përbëhet nga anëtarë të propozuar nga PD dhe PS. Nëse partitë politike nuk propozojnë anëtarë, ligji parashikon se një e drejtë e tillë i kalon shoqata jo qeveritare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›