E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhufi: Nuk marrim pjesë në Komisionin e Dosjeve

 

Lëvizja Socialiste për Integrim nuk do të marrë pjesë me anëtar në Autoritetin e ri për verifikimin e dosjeve. LSI e ka të pandryshuar qëndrimin në lidhje me mënyrën e zbatimit të ligjit të dosjeve në Shqipëri. Nënkryetari i LSI-së, Pëllumb Xhufi, i pyetur nëse LSI do të merrte pjesë në këtë institucion të ri, theksoi se “partia që përfaqëson është rreshtuar në krah të atyre që kërkojnë kthimin e ligjit”. “Është një problem, të cilin ne e shohim në një këndvështrim tjetër, në një krah tjetër. Ky është një krah për të cilin nuk mendojmë që të përgjigjemi, pikërisht sepse e konsiderojmë që është një ligj, i cili nuk është në interes të vendit. Si i tillë, nuk mund të marrim pjesë në menaxhimin e këtij ligjit”, deklaroi Xhufi. Sipas tij, LSI-ja e ka bërë me kohë qëndrimin në lidhje me ligjin e miratuar në mënyrë të njëanshëm nga ana e maxhorancës parlamentare. “Ne jemi ndër ata që shpresojmë dhe do të luftojmë që ky ligj të mund të kthehet, duke ndjekur rrugët ligjore të mëtejshme. Jemi nga ata që kemi votuar me forcë kundër këtij ligji, ashtu siç kemi votuar edhe disa nga ligjet e tjera që kanë kaluar dhe që ne mendojmë që kanë qenë në përplasje të drejtpërdrejtë me demokracinë dhe me parimin e ndërtimit të institucioneve të shëndosha”, deklaroi Xhufi. LSI-ja ka fajësuar kryeministrin Sali Berisha për mosrealizimin e disa prej premtimeve kryesore, që ka të bëjë kryesisht me lëvizjen e lirë të njerëzve. “Megjithëse Qeveria Berisha ka tashmë një mandat të kufizuar, edhe gjashtë muaj, ne duam të nënvizojmë me forcë se përgjegjësia kryesore për procesin e integrimit të Shqipërisë, për lehtësimin e regjimit të vizave, ashtu dhe për arritjen e aplikimit të statusit të vendit kandidat për Bashkimin Europian, që janë dy nga sfidat më të afërta, i takojnë, në radhë të parë, Qeverisë së zotit Berisha”, deklaroi Xhufi. Nënkryetari i LSI-së shtoi se, “për fat të keq, ne konstatojmë se Qeveria Berisha, sidomos në këtë fazë, kur është përfshirë edhe nga avujt e fushatës elektorale, nuk po tregon ndërgjegjen e duhur për t’u përballuar me sfidat dhe me prioritet e vendit”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›