SHBA dhe BE: Shqipëria të përmirësojë standardet zgjedhoreNga Tema Ambasada amerikane në vendin tonë reagoi dje me anë të një deklarate në lidhje me raportin e ODIHR për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Në të thuhet se mirëpriten përmir
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
SHBA dhe BE: Shqipëria të përmirësojë standardet zgjedhoreNga TemaAmbasada amerikane në vendin tonë reagoi dje me anë të një deklarate në lidhje me raportin e ODIHR për zgjedhjet parlamentare të qershorit. Në të thuhet se mirëpriten përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e shkuara. Deklarata vijon duke theksuar se, zgjedhjet patën mangësi, të cilat duhen përmirësuar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës vlerësojnë me kënaqësi publikimin më 14 shtator nga Zyra për Institucione Demokratike dhe Të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE të raportit përfundimtar mbi zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Shqipëri. Mirëpresim përmirësimet e bëra në krahasim me zgjedhjet e kaluara të përshkruara në raport, siç është kuadri i përmirësuar ligjor dhe procesi i regjistrimit të votuesve. Këto fusha shënuan përmirësim të prekshëm në krahasim me zgjedhjet e kaluara. Raporti i ODIHR gjithashtu identifikoi mangësi. U shënuan probleme lidhur me numërimin dhe regjistrimin e votave, si edhe me anshmërinë e medias për partitë kryesore politike. Po ashtu, ODIHR nxjerr në pah veprime dhe presione problematike nga partitë politike dhe qeveria gjatë fushatës elektorale.
Nxisim qeverinë shqiptare dhe të gjitha partitë politike shqiptare që ta shfrytëzojnë këtë raport dhe rekomandimet e tij për të përmirësuar zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Shtetet e Bashkuara qëndrojnë të gatshme për të punuar me qeverinë shqiptare, OSBE dhe Bashkimin Evropian për t’u marrë me fushat e shënuara për përmirësim”, - thuhet në deklaratën e ambasadës së Shteteve të Bashkuara në vendin tonë.
Pak ditë më përpara u publikua raporti i ODIHR, që theksonte se zgjedhjet e 28 qershorit shënuan përmirësim të ndjeshëm, megjithatë u shfaqën sërish mangësi që penguan vendin të kryejë një proces sipas standardeve më të larta demokratike.
Më pas raporti numëronte një seri shkeljesh, si ndërhyrja në procesin e numërimit, presionet ndaj punonjësve të administratës, listat problematike, mospajisja e qytetarëve me mjete identifikimi, blerja e votave të komunitetit rom etj.
Presidenca e BE: Debati politik duhet të bëhet në parlament
Presidenca suedeze e Bashkimit Evropian lëshoi dje një deklaratë në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR. Kjo presidencë ka përshëndetur përfundimet e raportit dhe ka kërkuar që të jepet një zgjidhje për problemet e evidentuara në këto zgjedhje. BE ka kërkuar gjithashtu që debati politik të bëhet në parlament, duke dalë kështu kundër bojkotit të opozitës.
“Bashkimi Evropian u njoh me raportin final të Misionit Vëzhgues të OSBE/ODIHR për zgjedhjet parlamentare të mbajtura më 28 qershor në Shqipëri dhe mirëpret vlerësimin se zgjedhjet arritën shumicën e angazhimeve të OSBE, edhe nëse zgjedhjet nuk realizuan plotësisht potencialin e Shqipërisë për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.
Raporti thekson se zgjedhjet treguan progres të prekshëm, në veçanti për sa i përket regjistrit të votuesve dhe procesit të identifikimit, kuadrit ligjor, votimit, numërimit dhe zgjidhjes së problemeve zgjedhore. Gjithashtu nënvizon për fat të keq politizimin e aspekteve teknike të procesit, përfshi numërimin e votave dhe nxjerrjen e rezultateve, si dhe shkeljet e konstatuara gjatë fushatës elektorale.
BE nënvizon rëndësinë e plotësimit të problemeve të evidentuara në zgjedhje, tashmë mësimet janë marrë dhe raporti përmban rekomandimet e duhura.
BE inkurajon partitë politike në Shqipëri të vijojnë një dialog konstruktiv politik. Në veçanti, zhvillimi i një dialogu të vazhdueshëm në parlament është një element kyç për demokracinë.
Zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë një kërkesë thelbësore për të përmbushur kriteret për anëtarësim në BE. BE është e angazhuar për të vijuar të ofrojë mbështetje në Shqipëri, për këtë proces të rëndësishëm, duke ndihmuar Shqipërinë të përparojë drejt integrimit evropian”, - thuhet në deklaratën e presidencës së BE.