E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha e ka kërcënuar Ramën me jetë

Partia Socialiste ka reaguar ndaj deklaratës së Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Hysni Burgaj, i cili sot në drekë informoi se kërcënimi me jetë ndaj Kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama kishte ardhur nga personi, të cilit demonstruesit i kishin djegur makinën e parkuar pranë kryeministrisë, dhe i cili i kërkonte shefit të opozitës me një sms, zhdëmtimin për makinën e tij luksoze. Në një konferencë për shtyp Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa, e cilësoi të turpshme dhe kuptimplotë deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili sikundër tha Ajtyresa dëshmoi se nuk është në shërbim të shtetit por të pushtetit.
“E turpshme dhe qartësisht kuptimplotë deklarata e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, i cili foli për një sms për zhdëmtim makine, duke treguar se në fakt nuk i shërben shtetit, por pushtetit”, tha Ajtyresa.
Sipas saj e vërteta është krejt ndryshe pasi shqiptarët kanë dëgjuar të ashtuquajturin kryeministër të kërcënojë me jetë kryetarin e opozitës, i cili nuk ka bërë dhe nuk ka ndërmend të bëjë asnjë denoncim për kërcënimet që i janë bërë atij vetë e familjes së tij, jo me një sms për zhdëmtim makine, po me shumë paralajmërime për jetën e vet.
Në një vend ku, me urdhër të kryeministrit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit nuk ekzekuton urdhër-ndalimet e prokurorisë pas tre vrasjesh me pushkë nga Garda Republikane në mes të bulevardit, s`ka asnjë arsye të mendosh se kjo polici e dhunuar politikisht mund të mbrojë qytetarët nga pushteti”, theksoi Ajtyresa.
Anëtarja e Asamblesë Kombëtare të PS-së, Megi Ajtyresa në emër të shefit të opozitës, tha se Rama nuk ka ndryshuar mendim lidhur me pjesëmarrjen e tij në demonstratën homazh, kur është njoftuar nga truproja i tij, ky i fundit i informuar prej vetë Komandantit të Gardës, për ekzistencën e një plani për asgjësimin e tij fizik.
Rama ka ndërmend të ndryshojë qëndrim e rrugë në krye të popullit opozitar, për asnjë arsye apo interes vetjak”, përfundoi reagimin e saj Megi Ajtyresa.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›