PS: Berisha e orienton vendin nga Kolumbia
Tiranë- Partia Socialiste ka reaguar sot pas të dhënave të fundit të publikuara në raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që dëshmojnë me shifra se korrupsioni është tashmë njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje.
Nënsekretari për programin në PS, Ilir Beqja, duke iu referuar raportit të FMN-së, ka deklaruar se qeveria aktuale e ka përkeqësuar treguesin e korrupsionit tri herë krahasuar me vendet e pranuara së fundmi në Bashkimin Europian. “Çatia ku shohin dhe që duan të prekin shqiptarët nuk është Azerbajxhani, Kirgiztani, Kolumbia apo Burkina Faso, por është Bashkimi Europian”- tha ai, gjatë një deklarate për shtyp.
Sipas tij, në faqet e para të raportit “Të bësh biznes 2009" thuhet qartë se studimi nuk vlerëson faktorët më të rëndësishëm që lidhen me mundësitë për të bërë biznes. Ai nuk mat dhe nuk vlerëson sigurinë e mjedisit, cilësinë e zbatimit të ligjeve dhe rregullave, cilësinë e funksionimit të institucioneve duke përfshirë dhe efiçencën dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor, cilësinë e infrastrukturës, mundësinë e bizneseve për të gjetur fuqi punëtore të kualifikuar, mundësinë e bizneseve për të qënë aktorë në një mjedis ku ka konkurencë të ndershme.
Ky raport sipas tij, i kujton qartë edhe kryeministrit se për të kuptuar klimën për zhvillimin e biznesit dhe për të përcaktuar politikat e nevojshme për përmirësimin e saj, ai duhet të lexojë studime të tjera të Bankës Botërore dhe të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe jo vetëm kopertinën tyre.
“Të dhënat e publikuara nga anketimi i bizneseve, tregojnë që problemi kryesor i pjesës më të madhe të bizneseve në Shqipëri nuk eshte numri i ditëve për t’u rregjistruar, por garancia për të funksionuar në një treg me rregulla dhe konkurencë të ndershme. Dhe nuk mund të flasësh për konkurencë të ndershme aty ku shifrat e fundit të raportit të Fondit Monetar Ndërkombëtar konfirmojnë, pa asnjë mëdyshje, se korrupsioni është tashmë njolla më e zezë e kësaj qeverisjeje që e ka përkeqësuar treguesin e korrupsionit tri herë krahasuar me vendet e pranuara së fundmi në Bashkimin Europian, duke konfirmuar dështimin e plotë të qeverisjes dhe të kryeministrit, i cili luftën për të reformuar dhe modernizuar shtetin e ka lidhur fort vetëm në numrin e tij të telefonit”- tha Beqja.
Ai ka kujtuar më pas se bizneset në studimin e Bankës Botërore deklarojnë që e kanë gjithnjë dhe më të vështirë të gjejnë fuqi punëtore të kualifikuar sipas kërkesave të tyre dhe po sipas Bankës Botërore një shqiptar arsimohet mesatarisht 9.6 vite shkolle krahasuar me 12 vite në vendet e Bashkimit Europian. Ndërkohë që me vetëm 40% të popullsisë në moshë pune me arsim të mesëm të përfunduar Shqipëria qëndron 3 herë larg vendeve të zhvilluara të BE dhe 2 herë më larg vendeve të anëtarësuara rishtaz në të.
Klima e biznesit, sipas tij, nuk është përmirësuar për sa kohë raportet e fundit konfirmojnë se niveli i zbatimit të ligjeve dhe rendi publik janë dukshëm nën nivelin e vendeve me të ardhura të ulta dhe as nuk mund të krahasohet me atë të vendeve me të ardhura të mesme dhe aq më pak me vendet e pranuara rishtaz në Bashkimin Europian dhe se liritë e biznesit janë më të kufizuara se vendet me të ardhura të ulta.