E Shtunë, 31 Tetor 2026

TIA: Korrupsioni, sfidë serioze për Shqipërinë

Transparency International theksoi sot se Indeksi i Perceptimit të Korrupsionit 2008, tregon qartë se korrupsioni mbetet një sfidë serioze për Shqipërinë, duke qenë se vlerësimi me notën nën 5 tregon se ballafaqohet me nivele serioze të perceptimit të korrupsionit.

Transparency International bëri publike rezultatet e Indeksit te Perceptimit te Korrupsionit i cili për vitin 2008 rendit 180 vende. Shqipëria këtë vit u rendit në vendin e 85-të. Vendi ynë është bërë për herë të parë pjesë e këtij indeksi në vitin 2003 kur u vlerësua me 2.5. Vlerësimin më të ulët e ka marrë në vitin 2005 me 2.4. Në 2006-n vlerësimi ishte 2.6, në 2007-n 2.9 dhe së fundmi në 2008-n është 3.4.

Shqipëria renditet në të njëjtin nivel me Serbinë dhe Malin e Zi, duke qenë mes vendeve ku korrupsioni mbetet një problem serioz dhe që kërkon përpjekje sistematike dhe të qëndrueshme për t’u luftuar.

Presidentja e TI tha sot në Berlin se “reduktimi i korrupsionit kërkon mbikëqyrje të fortë përmes parlamentit, organeve të zbatimit të ligjit, medias së pavarur si një shoqërie civile energjike. Kur institucionet janë të dobëta, korrupsioni del nga kontrolli duke shkaktuar pasoja të tmerrshme për jetën e njerëzve të thjeshtë por edhe më gjerë për drejtësinë dhe barazinë në shoqëri”, vazhdoi ajo.

Viti i ardhshshëm e vendos Shqipërinë përballë sfidës së arritjes së standardeve zgjedhore, realizimit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, të cilat mbi të gjitha kërkojnë rregullimin një herë e përgjithmonë të çështjes së financimit të partive politike.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›