Tregtia e lirë, Ruli: Duhet më shumë për në BE
Edhe pse KE ka vënë në dispozion 1,7 milionë euro në ndihmë të tregtisë së lirë mes Shqipërisë dhe BE, ministri i Ekonomisë Genc Ruli u shpreh se qeveria duhet të marrë më shumë masa në ndihmë të tregtisë së lirë. “Ne duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na ofrohet nëse duam të integrohemi në BE”- tha Ruli.
Nga shuma që KE i ka akorduar Shqipërisë, 800 mijë euro pritet të shkojnë për drejtorinë e akredimit dhe standardizimit, në një kohë që pjesa tjetër do të shkojë për Ministrinë e Ekonomisë, e cila do të merret me mbikëqyrjen e tregut dhe mbrojtjen e konsumatorit.
Projekti i KE-së për Shqipërinë do të zgjasë 2 vjet. Një fakt i tillë bëri që ambasadori Lohan të shprehej se kjo ishte një mundësi e mirë për Shqipërinë dhe ajo duhet të synonte tërheqjen e partnerëve të rinj, dhe jo vetëm atyre tradicionalë si Greqia e Italia. Gjithashtu Lohan u shpreh se procedurat doganore janë një pikë kyçe në kuadër të tregtisë së lirë.