E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha në gjykatë për akuzat ndaj Ramës

Çështja e deklaratave të pasurive të drejtuesve të politikës përfundon në dyert e gjykatës. Pas akuzave të Partisë Demokratike në adresë të kryesocialistit Edi Rama për fshatra turistikë në Spanjë, reagoi dje selia rozë, duke kujtuar shumat marramendëse të Kryeministrit Berisha dhe të familjes së tij të dokumentuara në deklaratat e pasurisë. Përfaqësuesja e kësaj partie, Elisa Spiropali, vuri në dukje se Sali Berisha do të përgjigjet në gjykatë për të ashtuquajturat akuza. "Akuzat për të ashtuquajturat pasuri të Edi Ramës do t‘i shkojnë gjykatës, duke e ftuar Sali Berishën të paraqesë provat", vuri në dukje ish-kandidatja për deputete e PS-së. Ndër të tjera, Spiropali vuri në dukje se është e turpshme dhe e trishtueshme njëkohësisht, që Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe PD-ja u duhet të shpifin kaq shumë për të mbuluar diellin me shosh. "Deklarimet e pasurisë familjare të Sali Berishës janë marramendëse dhe pas tyre fshihen pasuri të padeklaruara edhe më marramendëse, para të zeza me të cilat u ble shumë varfëri fshatrave edhe më 28 qershor dhe të cilat janë ogurzeza për demokracinë. Sali Berisha flet për Shqipërinë dhe pasuron vetëm familjen e tij, e cila sot e ka kapur shtetin si asnjëherë më keq", tha ajo. Pak ditë më parë, ILDKP-ja publikoi deklaratat e pasurisë së politikanëve shqiptarë, mes të cilave edhe të familjes kryeministrore. Kryesisht, llogaritë bankare të Kryeministrit ishin në emrin e bashkëshortes së tij, Liri Berisha. Në reagimin e PS-së, përmes deputetit Taulant Balla, vuri në dukje se pasuria e kësaj familjeje tregon edhe një herë se si pushteti i Sali Berishës është vendosur mbi para të vjedhura.

Reagimi
Mëhilli: PD do hapë llogari bankare në ndihmë të Ramës

Partia Demokratike ka reaguar menjëherë pas deklaratave të bëra nga përfaqësuesja e PS-së, e cila ka mbrojtur dje kryetarin Rama ndaj akuzave të bëra prej PD-së për mashtrim me deklarimin e pasurisë. Sipas zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli, "zonjushëza Spiropali me sa duket ka marrë për mision avokatinë e humbësit të madh Edi Ramës për qytezën Delijorgji, për 70% të lejeve të dhëna studiove të Shkrelit dhe Eftimit, objekt i hetimit të Komisionit Parlamentar". Sipas selisë blu, "avokatët e kryetarit mandatprerë të Partisë Socialiste, përpara së gjithash të përgjigjen se çfarë e shtyn z. Rama të japë leje dhjetëra katëshe ndërtimi mbi monumente kulture qindravjeçare si Varri i Dervish Pashës ku po ndërton Fideli, apo Ura e Tabakëve ku po ndërton Dashnori". Turpi, tha zëdhënësja e PD-së Mëhilli, është për z. Rama dhe Fidelët e Dashnorët e tij. Turpi vijoi ajo, është për z. Rama që tallet me shqiptarët dhe deklaron se pasuria e tij është në limitet e varfërisë. "Rama në deklaratën e depozituar ka deklaruar se ka 400 000 lekë të vjetra të kursyera nga paga në llogarinë e tij bankare. Pra, praktikisht Rama deklaron se ka në llogari aq sa ka pagën mujore një punonjës i thjeshtë në bashkinë e tij", ka deklaruar zëdhënësja e PD-së. Duke bërë ironi, ajo ka theksuar më tej se Partia Demokratike është e gatshme të hapë një llogari bankare për kryetarin e bashkisë që strehohet në kullën e Myslym Pezës dhe fton të gjithë shqiptarët të kontribuojnë me aq sa kanë mundësi për të zbutur varfërinë e skajshme të kryetarit të Bashkisë së Tiranës dhe të Partisë Socialiste, Edi Rama. Prej muajsh dy selitë replikojnë ashpër me njëra-tjetrën, duke hedhur pa fund mbi kryetarët e partive respektive akuza të ashpra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›