E Diel, 1 Nëntor 2026

U verbua nga predha, kërkon 100 milionë

Paditet Ministria e Mbrojtjes nga një 20-vjeçar, i cili është verbuar dhe gjymtuar si pasojë e një shpërthimi në një poligon qitjeje në kryeqytet. 

Fatos Mahmutaj

Me anë të padisë, 20-vjeçari Ilir Havalja kërkon të dëmshpërblehet nga Ministria e Mbrojtjes, të cilën e akuzon si autoritetin përgjegjës për dëmtimet e rënda dhe të pariparueshme që ka pësuar. I riu kërkon që ministria të shpërblejë dëmtimin e shëndetit të tij, në vlerën e 96 milionë lekëve të vjetra, si dhe të paguajë një person, mundësisht mjek 24 orë në 24, për t’i shërbyer pas gjymtimit, si dhe të shpërblehet morali i tij, që pas kësaj ngjarje ai nuk ka më mundësi të shijojë jetën, por jeton në ankth, dëshpërim dhe frikë. Padia e tij, pasi është regjistruar në kryesekretarinë e institucionit, i është nënshtruar procedurave të shortit elektronik dhe pas kësaj i është dorëzuar gjyqtares Elbana Lluri për ta shqyrtuar atë.
Ngjarja
Ngjarja e rëndë, në të cilën Ilir Havalja u plagos rëndë, ka ndodhur më 28 tetor 2005 në pyllin pranë Kafes së Rremës, në periferi të kryeqytetit, pranë një poligoni ushtarak për qitje. Iliri, atëherë 17 vjeç, ndodhej bashkë me dy kushërinjtë e tij, vëllezërit Gentian dhe Hamit Çupi, 21 dhe 13 vjeç, duke prerë dru në zonën pranë poligonit. Aty ata kanë prekur pa dashje një predhë, e cila ka shpërthyer duke dëmtuar rëndë Havaljen, i cili humbi krejt shikimin, rreth 80% të dëgjimit si dhe iu dëmtuan rëndë gjymtyrët. Ndërsa dy kushërinjtë e tij fatmirësisht morën dëmtime më të lehta. Pas shpërthimit tre të dëmtuarit u dërguan në Spitalin Ushtarak, ku dy vëllezërit Çupi pas marrjes së mjekimeve u kthyen sërish në banesë, ndërsa kushëriri i tyre Havalja qëndroi për një kohë të gjatë i shtruar.
Padia
Pasi ka kaluar gjendjen e vështirë për jetën, 20-vjeçari, i cili shoqërohet kudo nga prindërit, i është drejtuar Gjykatës së Tiranës, pasi është konsultuar me juristë. Argumentet kundër ministrisë ai i mbështet në faktin se Ministria e Mbrojtjes, si autoriteti përgjegjës shtetëror, duhet të pastronte territorin nga të gjitha sendet e rrezikshme si dhe të njoftonte qytetarët për rrezikun e mundshëm. Gjë që, sipas shpjegimeve të paditësit, mund të kryhej nëpërmjet tabelave sinjalizuese, shiritave që mund të qarkonin poligonin, që për ironi të fatit ndodhej pranë një rruge këmbësore, në të cilën lëvizin shumë njerëz. Gjykata ende nuk i ka shqyrtuar provat e mbrojtjes, por ka marrë vetëm kërkesat paraprake të palëve, të cilët nuk pranuan që ta zgjidhnin çështjen me kompromis. Farija, e ëma e 20-vjeçarit Havalja, pohoi dje në gjykatë se pas stërvitjes ushtarake zona duhej të kontrollohej për sigurinë e banorëve. Sipas saj, nëse kjo gjë nuk ishte bërë, atëherë ushtria duhet të njoftonte banorët se ajo zonë ishte e minuar dhe e rrezikshme, duke ndaluar në mënyrë të prerë hyrjen në të, të civilëve.

Padia e 20-vjeçarit. Dua mjek të më shërbejë “non stop” e 100 mln lekë

TIRANE – “Kërkimin e dëmshpërblimit për dëmtimin e shëndetit në shumën 9.6 milionë lekë. Të njihen shpenzimet për përkujdesjen për një kohë të plotë 24 në 24 orë”. Ky është objekti i padisë së 20-vjeçarit Ilir Havalja ndaj Ministrisë së Mbrojtjes, që ka nisur të gjykohet në kryeqytet. I riu, që tashmë është verbuar dhe gjymtuar, pretendon se pagesa për këtë të bëhet në masën e rrogës së një punonjësi infermier-sanitar. Këto shpenzime, sipas padisë, të llogariten për personat që do t’i shërbejnë Ilir Havaljes. Ndërkohë më tej ai pretendon se duhet të njihen shpenzimet për mjekimet e nevojshme dhe trajtimet e ndryshme mjekësore që mund të ketë nevojë në institucionet e vendit e jashtë tij. Kjo për faktin se shpërthimi i ka lënë pasoja të rënda, të cilat konsiderohen nga mjekët, në mjaft raste, si të pariparueshme në kushtet e spitaleve shqiptare. Më tej 20-vjeçari Havalja kërkon se shpërblimi për dëmin moral, ka të bëjë me humbjen e kënaqësive për jetën, dhimbjet e brendshme, vuajtja shpirtërore apo gjendje ankthi e mundimi shpirtëror që i shkaktohen vetë atij, familjarëve dhe të afërmve. Duke pretenduar se të gjitha kërkesat e tij mbështeten në prova, ai pohon se gjykata duhet të pranojë për shqyrtim padinë e tij dhe t’i japë dëmshpërblimet ashtu si i ka paraqitur në padinë e tij. Seancat e ardhshme pritet që pala e paditur të paraqesë para trupit gjykues pretendimet e veta.                    fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›