E Diel, 1 Nëntor 2026

Gati legalizimi, nuk paguhen tarifat

06/11/2009  Kreu rajonal apel qytetarëve. Në prag të përfundimit të shqyrtimi dhe 450 banesa

KORÇE- Gjithkush që dëshiron të ketë një legalizim të shpejtë të objektit, për të cilin ka aplikuar pranë Agjencisë rajonale të Legalizimeve në Korçë, atëherë, së pari do t’i duhet të jetë i interesuar për shlyerjen e tarifës për shërbimin që i ofrohet dhe pagesën për infrastrukturën. Nëse dikush “harron” këtë detyrim të ligjshëm dhe zvarrit pafundësisht pagesën, atëherë edhe dosja e tij do të mbetet sirtarëve të kësaj drejtorie.

Legalizimi

Në qarkun e Korçës kanë aplikuar për 9000 ndërtime pa leje, ku 300 prej tyre tashmë jo vetëm që janë legalizuar, por në të njëjtën kohë, janë regjistruar edhe në zyrën e Pasurive të Paluajtshme. Ndërkohë një numër i konsiderueshëm objektesh të tjera i janë dërguar për miratim Drejtorisë së përgjithshme të Legalizimeve, ndërsa qindra objekte të tjera ndodhen në përfundim të shqyrtimit të tyre, çka do të thotë se brenda këtij viti ata që do të marrin lejen e legalizimit do të jenë një masë e madhe, ndërsa të vonuar do të jenë vetëm ata që nuk u përgjigjen në kohë detyrimeve financiare.

Dosje që “flenë” në sirtar

Domosdoshmëria e pagesës së tarifës së shërbimit dhe asaj të infrastrukturës është bërë e ditur nga drejtori i Drejtorisë rajonale të Legalizimeve për qarkun e Korçës, Julian Kapo. Sipas tij, për një numër të madh dosjesh ka përfunduar shqyrtimi nga ana tekniko-ligjore e tyre, por vazhdojnë të qëndrojnë të bllokuara, pasi në këto dosje nuk gjenden të depozituara dy faturat që vënë në lëvizje të mëtejshme dhe përfundimtare procesin: nuk gjendet fatura e tarifës së shërbimit dhe fatura e infrastrukturës. “Këto dosje do të qëndrojnë në këtë gjendje deri sa të kryhet pagesa”, theksoi Kapo. Ndërkaq ai bëri të ditur se po punohet me ritme të shpejta në shqyrtimin e dokumentacionit. Nëse deri tani janë dhënë 300 leje dhe janë regjistruar në zyrën e Pasurive të Paluajtshme, së fundi janë dërguar pranë Drejtorisë së përgjithshme të Legalizimeve edhe 110 objekte të tjera. Sigurisht që banorët e këtij qarku kanë qenë mjaft të interesuar për legalizimin e objekteve të tyre, por me sa konstatohet, një pjesë e tyre, ndoshta për arsye të ndryshme, ende nuk janë paraqitur pranë zyrave tona për shlyerjen e detyrimeve financiare.

Në përfundim të shqyrtimit 450 objekte

Ndërkaq, Drejtori i Legalizimeve për qarkun e Korçës, Julian Kapo, shpjegoi se aktualisht po punohet me dosjet e 450 objekteve pa leje, të cilat gjenden në fshatin Buçimas, Vërdovë dhe Rrëmenj të rrethit Pogradec. “Mund të themi se këto dosje i kemi në përfundim e sipër”, tha Kapo. Pas përfundimit të këtij procesi në këto zona, do të vijohet me zona të tjera sipas një plani kalendarik të miratuar më parë, pasi për shqyrtimin e tyre përparësi u është dhënë zonave informale. Megjithatë, deri më tani, janë legalizuar kryesisht shtëpi banime, ndërsa shumë më pak objekte për qëllime të tjera. Megjithatë, këtij procesi do t’i jepej një rritëm tjetër nëse për dosjet që tashmë kanë përfunduar do të paguhej shlyerja e detyrimeve ligjore, vuri në dukje Kapo.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›