E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS: Berisha te mos pengoje zgjidhjen e krizes

TIRANE- Partia Socialiste i bën thirrje kryeministrit Sali Berisha të mos bëhet pengesë për zgjidhjen e krizës politike.

Përmes një deklarate për mediat, pak orë para mbledhjes së parlamentit, deputeti i PS-së Blendi Klosi i kujton kryeministrit se sot është afati i fundit për zgjidhje institucionale të ngërcit politik.

"Sot në ditën e fundit të të gjithë ultimatumeve euroatlantike për zgjidhjen e krizës i bëjmë dhe një herë thirrje Berishës dhe mazhorancës së tij që të reflektojnë e të mos bëhen pengesë për arritjen e një zgjidhjeje institucionale të krizës. PS thekson se në seancën e sotme Berisha ka mundësinë t’i tregojë shqiptarëve e botës mbarë nëse ky parlament do të damkoset përgjithnjë si parlamenti i Ruzhdies, apo si parlamenti që e ndau Shqipërinë njëherë e mirë nga praktikat zullumqare të vjedhjes së zgjedhjeve“.
Sipas socialistëve zgjidhja e krizës vjen vetëm përmes hetimit te plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive

“Në seancën e sotme zoti Berisha ka mundësinë t’u tregojë shqiptarëve e botës mbarë sesa i përkushtuar është ndaj integrimit e respektimit të standardeve demokratike e ligjore në Shqipëri. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm duke lejuar një hetim të plotë të zgjedhjeve të 28 qershorit, jo për efekt mandatesh, por për efekt të transparencës dhe parandalimit të zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen.”

Klosi i bëri sërish apel kryeminsitrit të lejojë hetimin e plotë duke përfshirë edhe hapjen e kutive, në të kundërt do ketë protesta.

“Kjo është ajo që po kërkojmë sot ne, por edhe partnerët tanë ndërkombëtarë, dhe jemi të vendosur t’i shkojmë kësaj çështjeje deri në fund. Jepini fund kësaj krize zoti Berisha. Në të kundërt do të përballeni me përpjekjet e vendosura e të pandërprera të popullit opozitare që kërkon fundin e qeverisë tuaj.”
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›