Takimi, Ina Rama kritikon gjykatat
Tiranë-Kryeprokurorja Ina Rama është shprehur sot se duhet përmirësuar legjislacioni, pasi duke mos patur afate gjykatat neglizhojnë me kohën e dhënies së vendimeve penale. Ndërsa drejtori i Burgeve, Gazmend Dibra kërkoi nga Prokuroria që të shkurtojë kohën e hetimeve. Sipas krerëve të lartë të drejtësisë në vend burgjet janë tejmbushur dhe një ndër shkaqet është edhe mos respektimi i afateve nga vetë organet e drejtësisë në vend.
Përfaqësues të Prokurorisë, gjykatave dhe ministrisë së Drejtësisë ishin sot në takim për të diskutuar mbi gjendjen e te burgosurve dhe problemet e vuajtjes së dënimit.
Prokurorja e Përgjithshme veçoi Gjykatën e Shkallës së Parë në Tiranë si më problematiken e cila i lë njerëzit në burg përtej afateve. “Gjykata nuk njofton për pushimin e çështjeve, ndaj kjo ka bërë që shumë të dënuar me burg të mbeten në qeli jashtë afateve të dhëna nga gjykata”, tha Rama.
Ndërsa Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Dibra tha se Prokuroria është ajo që zgjat hetimet jashtë afateve të parashikuara në ligj. Sipas tij, kohëzgjatja e hetimeve, shkel ligjin për të dënuarit.
Duke folur për kushtet në burgjet shqiptare, Dibra theksoi se ato janë të mbipopulluara dhe jashtë kapaciteteve.
Zvarritja e hetimeve dhe mosekzekutimi i vendimeve të gjykatave janë problemet kryesore me të cilat ndeshen çdo ditë me qindra qytetarë. Ky fakt është pranuar pak kohë më parë edhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili iu ka kërkuar institucioneve të drejtesisë në vend të bashkëpunojnë.