E Shtunë, 31 Tetor 2026

Honeymoons-në rrathët e urrejtjes!

Dasmat janë të të tjerëve, të tjerë çifte martohen, muajit e mjaltit janë të atyre që nuk martohen, por dashurohen! Në njërën anë të Ballkanit këndohet një arje operistike nga nusja dhe më tej luhet muzikë sllave pa ç’ka se është Shqipëri; në anë tjetër të gadishullit në të njëjtën ditë zhvillohet dasmë dhe luhet muzikë vendase, por të ftuar janë një çift i ri, mashkulli i të cilit luan muzikë simfonike në violonçel dhe ka ardhur të respektojë vajzën që dashuron në këtë gëzim të saj familjar! Dy ngjarje larg njëra tjetrës, dy histori që nuk dëshirojnë të njësohen, dy popuj larg dhe afër në histori, dy mentalitete që ngjajnë si ballkanik, por largohen sa janë larg ilirët me sllavët, shqiptarët me serbët! Lëvizja provokuese e filmit qysh në hyrje janë kahjet e lëvizjes dhe mjetet e udhëtimit. Nga thellësia e malësisë shqiptare një familje genuine e traditës vjen në qytet për një dasmë në fis me një autobus që vetëm i tillë nuk mund të quhet, një grumbull hekurishtesh që rënkon dhe kollitë zhurmë e tym. Në të udhëton një familje që ka ngrirë të gjitha marrëdhëniet me botën! Një djalë i saj i humbur në det në përpjekjet për t'ju larguar mizerjes ekonomike, një vajzë e re e sjellë në shtëpi në emër të një dashurie të pa realizuar, e cila as mund të kthehet tek prindërit dhe as mund të kuptojë që bota e saj ka vetëm një shteg shpëtimi, të pranojë të iki nga ky realitet përmes një dashurie tjetër atë me vëllanë e atij që nuk jeton më, ose që për të nuk ka gjurmë; megjithëse e ëma e tij ende beson! Një fytyrë e ngrirë gruaje mes pragqarjes që kërkon të lajmërojë dhe përvuajë vdekjen dhe mosqarjes sepse beson se ai, i biri, është ende i gjallë! Duhet të jetë i gjallë dhe do të gjendet edhe në fund të botës! Kjo fytyrë që duket se tregon udhën e ngashërimës që pret të shkrepi, duket sikur mbanë me rrënjë nga shpirti njerëzor i nënës, gjithësinë e universit shqiptar që ka humbur hartën e rrugës dhe po i humb jetët dhe fatet njerëzore sa hap e mbyll sytë. Duket se në atë ngurtësim e gjithë bota ka bërë një stop fatal. Kjo fytyrë është e aktores sonë të mrekullueshme Yllka Mujo! (E kisha parë një lloj komunikimi të tillë ndjenjësoro-filmik vetëm tek Alida Vali)! Ajo e rikthen në një individualitet origjinal të papërsëritshëm si tërësi të universit të njerëzve pa fat e pa horizont të hapur. Janë njerëzit e zakonshëm që e dinë se përball është fatmirazhi por gjithsesi dëshirojnë të besojnë, nuk dorëzohen përball fatalitet pa çka se ai janë vetë ata! Në anën tjetër, ose më saktë në harkun tjetër të rrethit ballkanik me 'qendër protonike' Kosovën dhe fatin e saj, një baba i lodhur nga jeta besnik i nacionalizmit radikal e sheh botën të përmbysur dhe nuk mund të pranojë kurrfarë drite për jetën e njerëzve më të afërt sepse vetëm për këto 'arsye pa arsye' nuk komunikon as me vëllanë e tij që atë ditë marton vajzën. Fytyra e tij e mbushur me një vajtim dhe urrejtje që për të shpërthyer dufin e shpirtit e vendos qetësinë me armë dhe shkrepet në ngashërim sepse e kupton që bota e tij e vjetër po shembet ngërthen në tërë qenien e tij idenë: "Se të rrimë kështu si jemi nuk mundemi, të ikim nga kjo gjendje po për ku, ndaj ai nuk do as të arsyetojë dhe as të përgjigjet". Dasmorët atje vinë nga kryeqyteti në fshat e udhëtojnë me tren dhe i gëzohen në rrugëtim provës së ëndrrës në një audiencë evropiane të ofruar e që pret të realizohet! Atje në Serbi dhe këtu në Shqipëri po bie një këmbanë. Të rinjtë duan të ikin, ata do të duhet të festojnë Honeymoons- muajt e mjaltit jashtë asaj bote, sepse edhe tani që ajo po lë pas të shkuarën, është e kontaminuar prej saj keqas dhe e djeshmja e mban si peng të pafat, si një rrokopujë hareje ku vetëm kostumet kanë ndryshuar, dekori është tjetër, më i hareshëm por edhe më hipokritë; veçse njerëzit që drejtojnë janë po ata! Fytyra e hutuar dhe si e zënë në faj e Bujar Lakos e bashkëshoqëruar me fjalët, "lëri fëmijët të ikin, të jenë të lirë. Ata që më burgosën dje me 10 vjet sepse doja të kaloja kufirin sot na drejtojnë", vlejnë më shumë se një manual analitik për realitetin! Yllka Mujo e Bujar Lako u përzgjodhën pas një audience virtuale sepse regjisori i filmit pa paraprakisht disa filma shqiptar. Ai nuk gaboi, ndërsa ata nuk zhgënjyen. Kritika e specializuar në festivale i ka vlerësuar ata si aktorët më të mirë! Të ikim nga vetja apo të ikim nga Ballkani-dhe këtu gjithçka merr vrullin e një dramaturgjie filmike befasuese në filmin shqiptaro-serb, "Honeymoons" të regjisorit të njohur serb Goran Paskaleviç! Dalja nga rreth i parë i urrejtjes, janë realitet paralele ku në Shqipëri në kryeqytet dhe në Serbi në fshat mendohet se pala tjetër është fajtore fatkeqësiprurëse, vetëm e vetëm se të dy palët reciprokisht kanë një gjykim antagonistë për shqiptarët e Kosovës! Ata që mendojnë ndryshe duke mos akuzuar me paragjykim, janë ata që e kanë prekur atë realitet përsëafërti; dikush se atje ka lindur dhe është rritur (Serbi violonçelist) dhe ai që shkelte në atë hapësirë ndërkufitare vetëm për të punuar, apo për të telefonuar (djaloshi shqiptar i zonës së thellë). Ata janë të çliruar nga urrejtja, nga përjashtimi, nga gjuha e dhunës dhe e forcës. Pikërisht ata do duhej të ishin një prerje e konsideruar civile për botën e qytetëruar, për Evropën pa selektim racor e qytetar! Ajo hapësirë do duhej të ishte bota e lirisë dhe e fatit njerëzor dinjitoz, atje ku trenat e jetës ecin me shpejtësi, ku njeriu është individ me dinjitet, ku raca nuk ka rëndësi dhe nuk është tregues përjashtimi sepse valenca njerëzore është e gjithpranuar… atje mund të shpenzohet koha e "muajit të mjaltit" për njerëzit që vërtetë nuk martohen mes luksit por dashurohen mes ndjenjave njerëzore dhe duan të takojnë lumturinë!! E gjitha kjo rezulton iluzion! Një realitet medieval ju përplaset në fytyrë! Nuk janë muret e dikurshme, apo llagëmet e ujit dhe karakollet e larta! është një 'instrument më kontemporan', policia kufitare që të ndal vetëm për një formalitet rutinierë dhe që përmes saj kuptohet se ende 'border nuk është shndërruar në frontier'(kufiri shtetëror- në kufi konvencional)! 'Qyteti dhe qytetërimi' nuk e pranon udhëtarin e fatit të kërkuar! Pa ç'ka se "natyra shumëkulturëshe është gjithashtu një e drejtë, meqë ndarja e sferës publike nga sfera private është themeluesja e rendit demokratik…nga shkaku i dobësimit të idesë dhe të realitetit kombëtar në demokracinë perëndimore të ditëve të sotme" (Domenique Schnapper, "bashkësia e qytetarëve" botimi shqip, faqe 115, shtëpia botuese "Dituria"). Porse në të kundërtën njeriu që e urren nacionalizmin e ngushtë provincial dhe kërkon të dali prej tij insinuohet! Trajtohet si të vuante nga një 'kolerë moderne', thjesht se vjen nga zona ku ushtarët e KFOR-it vriten për të siguruar paqen. Nuk ka rëndësi nëse ata janë të ligjshëm në dokumente! Nuk ka rëndësi se ata kanë ëndrra, kanë dinjitet njerëzor! Nuk ka vlerë nëse janë të barabartë si njerëz me të gjitha ata që janë të tillë, pavarësisht se ku jetojnë dhe kujt kombësie i takojnë! Ashtu si dikur kur njerëzit lëviznin drejt Jeruzalemit-në ditët tona ky vend i bekuar është 'bota perëndimore' që duket egërsisht si një "qytet i mbyllur", sindromi i modernizmit mediavel paskërka mbetur. "Sipas gojëdhënave themelimi i Jeruzalemit u bë nga Ezdra dhe Nejemija, por edhe me kontributin e fiseve madje me ngulimet përbashkëta me përfaqësues nga të gjitha fiset fshatare! Evropa sot rindërtohet si një megametropol pa disa nga ballkanasit, më te vjetrit dhe me tragjikët e kontinentit që nga koha e mugëtirave?! Atje në Jeruzalemin historik që hidhte shtat, sipas vendit të banimit dallohej vetëm 'plebeu pa fis' dhe pa të drejta politike! A mos vallë këta dy udhëtar ballkanas janë plebejtë modernë në një bote përjashtuese?! Edhe në Polisin antik, çdo njeri ishte qytetar por fillimisht si anëtar i fisit! Por protagonistët filmikë të Ballkanit luftarak janë larg fisit ose largohen nga fiset e tyre që kanë mbetur në konflikt ndaj e kanë të pamundur që 'Polis-Evropa' t'i quajë qytetar!? Sinjokizmi Helen dhe Romak dhe çdo pushtim kolonial ndodhnin gjithmonë në periudhën fillestare, të paktën fiktivisht tamam si ribërja e Jeruzalemit. Evropa e sotme ka frikë nga ky lloj pushtimi të njerëzve që divorcin me provincializmin historik dëshirojnë të festojnë në muaj të mjaltit në 'perëndimin kulturor'! Ja përse edhe demokracia fillimisht ishte e pazonja të 'lëkundte skemën e formimit të byrgerëve nga fiset (gentes) fratërit e formuar prej tyre dhe rreshtimet e krijuara, pra rrjedhimisht nga aleancat e pastra me bazë kulti'. Në Evropën e sotme fatkeqësisht është kthyer në një kult gati ideologjik paragjykimi i të ardhurve, ndaj mungon kujdesi i identifikuar! Të gjithë shihen si kriminel apo të lidhur me krimin dhe të paskrupuj, që e nxjerrin njeriun e tyre në trotuarin e prostituimit! Por ky 'perëndimi kulturor' ka një histori dhe një themel që është antikiteti greko-romak! Kjo traditë historike do të duhet të respektohet po nga ata vetë evropianët arrogantë! "Qytetari i thjeshtë i antikitetit mund të hynte së bashku me skllevërit në bashkësinë e misteve (siç ndodhte në Greqi) ose në collegiums (në Romë) por jo në bashkim, i cili si esnaf i mesjetës do të pretendonte për të drejtat politike. Në mesjetë 'popolo' ishte në dallim nga fiset e shquara,i organizuar në esnafe. Në periudhën klasike të antikitetit e pikërisht në kohën e sundimit të demonit (në dallim nga ekzistenca e filizave të periudhës së hershme) nuk kemi asnjë shenjë të esnafëve. Qyteti demokratik nuk ndahej në esnafë por në demos, ose tribe e rrjedhimisht në rrethe territorial, (formalisht) kryesisht fshatare" (Max weber, "Qyteti",botimi shqip faqe 135, shtëpia botuese 'Fan Noli'). Filmi "Muajt e Mjaltit" grishë artistikisht dhe klith dramatikisht përmes dialogjeve të imazhit dhe kontrapunteve të fuqishëm të një entropie në hapësirë, se "Evropa si një qytet" ka mbetur tek vetpengimi mesjetar duke u vetkonsideruar si 'komuniteti i esnafëfe" të mbrojtur me polici, ndaj ata që vijnë për të kultivuar ëndrrat i konsideron skllevërit e vesit dhe fshatarët që duhen të denatyrohen nga steriliteti i rregullit duke e zhbërë njeriun dhe duke dekonsideruar në një rreth urrejtje e përjashtimi. Leksioni cinik është se drejt qendrave mund të udhëtojnë trenat e mallrave por jo trenat dhe anijet e ëndrrave njerëzore! Në këtë lloj sjellje nuk ka as etikë kristiane as etikë protestante! Këto lloj praktikash nuk kanë moral! "Qyteti i sotëm-Evropë", i molepsur nga "racionalizmi ekonomik" duket sikur tallet me një refren prozaik se "dhjami bëhet nga bagëtia, paraja nga njerëzit"! Kështu ata që janë kodosh të parasë dhe të vesit janë të lirë të kalojnë pa pengesa! A është ende e saktë dhe frutdhënëse ajo që dikur Evropa e kishte parim se "ndershmëria është e dobishme, sepse të sjell besueshmëri" se përpikmëria, zelli dhe maturia janë virtyte?! Paskaleviç përmes anatomisë që i bën njeriut në një pikë kufitare diagnostikon patologjitë e shoqërisë së mbyllur dhe përjashtuese duke i rënë fortë kambanës 'se ç'është njeriu pa dinjitetin e tij', a përgjigjet kush për këtë zhbërje? Si funksionon bursa e lumturisë njerëzore dhe nëse nuk e ndihmojmë individin të ngrihet, me ç'të drejtë i rrëzojmë atë që ai e ka ngritur me aq mund?! Dy vajza të reja, një shqiptare që sapo ka provuar një puthje të sinqertë dhe mendon se bota ka vend edhe për të, lihet në mes të rrugës (katër rrugëve të fatit); ndërsa vajza serbe që sapo ka ndjerë frytëzimin e dashurisë dhe udhëton bashkë me fetusin drejt provës së fatit lihet gjithë natën në një stol! "Duhet ta shijojmë atë që na bën të lumtur. Prandaj lumturia nuk është diçka që nuk mund të krijohet"! Kështu shprehej Thoma D'Akuini, ai që me mësimet e tij ndihmoi ta nxirrte Evropën nga errësira mesjetare dhe guxoi të fliste për njeriun! Qëllimi përfundimtar quhet lumturi dhe ai ka edhe objektin dhe thelbin dhe lëvizjen e vet! A kemi të drejtë të jemi të lumtur ne njerëzit e periferisë së "Qytetit-Evropë", a duhet të lëvizim për të qenë të lumtur,apo veprimi ynë është rruga drejt lumturisë iluzive?! Jeta vepruese, jeta soditëse, jeta e kënaqësisë është e drejtë e disave dhe 'mollë e ndaluar për disa të tjerë'?! Sjelljet arrogante ndaj njerëzve që lëvizin për të ndryshuar veten dhe bashkë me të edhe botën duken sikur mbahen në karantinat e adaptimit social dhe të terapisë ligjore që vjen nga dyshimi sindromik i njerëzve të lodhur nga skepticizmi i përhershëm mbi të tjerët! Në këto rrethana ballafaqimi shënjon si të pavetëdijshme ata që përdorin pushtet që mund të thyejnë edhe gishta dore që krijojnë tinguj muzikor. Ky rrethim më urrejtje e mbyll rrethin. Personazhet në 'muajin e mjaltit' kishin ikur nga një klimë konfliktuale e ambientit natyror dhe kishin rënë preh e të njëjtës gjendje atje ku mendonin se ëndrrat çelin e lulëzojnë në një ajër eterik! Kemi një ndërrim vendesh në të sjellurin psikik. E ligjshmja vjen si e pavetëdijshme dhe humbet legjitimitetin"... Sa më i pavetëdijshëm të jetë një njeri, aq më shumë ai do të përputhet me standardin e përgjithshëm të sjelljes psikike. (Policët italianë dhe ata hungarezë të kufirit-shënimi im). Në një kohë kur sa më i vetëdijshëm të bëhet për individualitetin e tij, aq më i saktë do të jetë ndryshimi i tij nga subjektet e tjera dhe aq më pak ai do të bazohet në pritshmërinë e zakonshme. Më tej reagimet e tij do të jenë shumë më pak të parashikueshme". (Djaloshi shqiptar dhe ai serb shpërthejnë për të treguar se nuk mund të durojnë zhbërjen e dinjitetit njerëzor-shënimi im)(citimi nga Gustav Jung, vepra "Mbi psikikën njerëzore). * * * Ata janë dy çifte të rinjsh që nuk njihen, por në dyert e Evropës janë të pafat, e të mos mirëseardhur. Ata nuk dinë gjë për njëri tjetrin dhe si në dy kronika ikanakash ajo që i afron është të qenit të lidhur me Kosovën ndaj dhe kapen në kurthin e dyshimit e të paragjykimit! Ata vijnë nga pika fokale e kontinentit atje ku po groposen histeritë e vjetra antinjerëzore dhe politikat e urrejtjes! Procesi vazhdon dhe kundërshtimet gjithë po aq. Në këtë kuptim rrëfenja e Goran Paskaleviçit duket si një ese e hapur dhe jo shumë optimiste! Personazhet e tij mbeten pa strehën e fatit dhe të ëndrrës pa rrugëdalje dhe pa rrugëzgjidhje! Takimi i serbëve dhe shqiptarëve në Evropën e Bashkuar, pasi sheh filmin, duket më shumë si retorikë kancelarish dhe entuziazëm naivësh! Takimi i tyre në Evropë është farsë, është ende i parakohshëm, apo duhet përfytyruar si aventurë individuale?! Do duhet të evropianizohet realiteti i tyre dhe mandej nuk do të ketë nevojë për ikje të tilla! Do duhet të mbarojë urrejtja në Ballkan dhe ky është rrethi ynë i brendshëm që na mban të penguar dhe prangosur! Të përjashtuar e keqkuptuar në hapësirën tonë natyrore përse do t'u dashkërka të jemi të pranuar dhe mirëkuptuar në kufijtë e "Qytetit-Evropë"?! Këto janë kumtet që nënkupton kjo odise e pafat e hënzave të mjalta! Nëse ka një honeymoons -muaj të mjaltit këtë përjetim e ka vetëm "çifti i artistëve shqiptar dhe serb" në bashkëprodhimin e parë kinematografik shqiptar dhe serb sepse filmi po bën xhiron e botës në shumë festivale të njohur të kinematografisë dhe po nderohet me çmime! Arti anticipon një rrugëtim tjetër e po qe se nesër në të do të udhëtojë edhe politika e mentaliteti, një tjetër itinerar do ti shtohej "Qytetit Evropë" ai që kalon nga realiteti institucional me emrin Republika Demokratike e Kosovës! Atëherë kronika jonë si popuj ballkanik do të ishte ndryshe jashtë rrathëve të urrejtjes!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›