Rama: “Shqiptarët votuan bojkotin e Kuvendit deri në hetimin e zgjedhjeve”
Kryetari rizgjedhur i Partisë Socialiste, Edi Rama, ritheksoi qëndrimin e palëkundur të tij për të mos njohur rezultatin e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe për të vazhduar bojkotin ndaj Kuvendit deri në një hetim të plotë të procesit zgjedhor. Këtë deklaratë kreu i PS-së e bëri gjatë një konference për shtyp të mbajtur gjatë mbrëmjes së djeshme, ku fillimisht falënderoi të gjithë anëtarët e PS-së, 93% e të cilëve votuan rizgjedhjen e Ramës në krye të PS-së.
Kreu i PS-së u shpreh se e lexon votën pro tij si një votë pro nismës së marrë për të mos njohur Kuvendin e Shqipërisë të dalë nga zgjedhjet e manipuluara të 28 qershorit.
Qëndrimi
“Votën plebishitare të socialistëve për të më rizgjedhur kryetar të kësaj partie të madhe unë e lexoj si një mbështetje të jashtëzakonshme për të vazhduar rrugën e nisur, por edhe si një detyrim për të përmirësuar më tej funksionimin e Partisë Socialiste në mbrojtje të interesave të Shqipërisë e të shqiptarëve, duke theksuar vlerat e korrigjuara, të metat e vëna re në rrugën tonë të derikëtushme”, - është shprehur Rama, ndërsa ka shtuar se nëpërmjet kësaj fushate brenda partisë ai ka matur pulsin e anëtarëve të PS-së. “Fushata zgjedhore brenda partisë ishte një mundësi e shkëlqyer jo vetëm për t’i folur anëtarësisë, por edhe për të matur pulsin e saj në këtë moment dramatik për demokracinë, shtetin e së drejtës dhe ekonominë shqiptare. Votimi i së shtunës ishte shprehja e një vullneti të plotë të socialistëve e socialisteve të Shqipërisë jo vetëm në zgjedhjen e lidershipit të partisë për katër vitet e ardhshme, por edhe në mbështetjen e vijës së përcaktuar qartë në raport me maskaradën zgjedhore të 28 qershorit e me Parlamentin e dalë prej saj. Pyetjes së përsëritur në ballafaqimet me anëtarësinë gjatë gjithë këtij muaji, nëse do ta vazhdojmë betejën e nisur me marrëdhëniet e kushtëzuara me Parlamentin apo kushtëzimi do të mbarojë me përfundimin e këtyre zgjedhjeve në parti, sot i përgjigjem edhe më me forcë: Nuk ka marrëdhënie normale me këtë Parlament të dalë nga zgjedhje të grabitura, në qoftë se nuk na jepet e drejta për hetim parlamentar të pavarur të zgjedhjeve të 28 qershorit. Nuk ka asnjë lloj bashkëpunimi me këtë qeveri të dalë nga manipulimi, korrupsioni elektoral e mashtrimi publik i 83 mijë qytetarëve që votuan largimin e Sali Berishës, në qoftë se nuk na njihet e drejta për të bashkëjetuar në këtë vend si të barabartë përpara Kushtetutës e ligjit dhe për t’i dhënë fund në Shqipëri shkrirjes së shtetit me pushtetin për qëllime elektorale, kërcënimeve të gjithanshme të qytetarëve opozitarë e të sipërmarrjeve private për votën, largimeve poshtëruese nga puna për hakmarrje politike, diskriminimit të opozitës në median publike apo cenimit të rëndë të konkurrencës në media. Nuk ka Parti Socialiste të ulur në Kuvend, po vetëm opozitë të bashkuar, përtej së majtës e së djathtës, në këmbë në të gjithë Shqipërinë, në qoftë se të drejtën taksative që na e jep forca e ligjit për hapjen e kutive të votimit vazhdon të na e mohojë arbitrarisht pushteti i politikës së vjetër të Sali Berishës, Ilir Metës e Fatos Nanos”, - është shprehur kryetari i PS-së, Edi Rama.
Ai tha se ky qëndrim i PS-së nuk do të jetë i lehtë pasi kundërshtarët kanë në dorë të gjithë pushtetin dhe fuqinë ekonomike, por, sipas Ramës, e drejta qëndron me PS-në dhe se kjo parti do të luftojë fort për të drejtën. “Partia Socialiste nuk gjunjëzohet sepse sot, më shumë se kurrë, ka me vete të drejtën, ka me vete forcën e arsyes, ka me vete zemrat e mendjet e shumicës së shqiptarëve.
Ne do të këmbëngulim që beteja jonë për votën e lirë, për hapjen e kutive të së vërtetës së 28 qershorit, për ndarjen njëherë e mirë nga tradita e shëmtuar e zgjedhjeve të cenuara e të kontestuara, të mos ndahet asnjë çast nga beteja e përditshme për të mbrojtur liri e të drejta të kërcënuara e të mohuara vijimësisht në Republikën e Politikës së Vjetër të premtimeve të pambajtura e të zullumeve të papërmbajtura”, - është shprehur kryesocialisti, i cili në përfundim të fjalës së tij bëri thirrje për bashkim. “Nuk është më koha e sherreve të vjetra, po e ideve të reja. Madje është koha për të kërkuar e gjetur me kurajë shumë gjërat që na bashkojnë, jo vetëm mes nesh, po edhe jashtë nesh, me të tjerë njerëz që si ne përpiqen për një Shqipëri më të mirë, qofshin majtas apo djathtas, dhe që, njësoj si ne, janë të gatshëm të luftojnë vendosmërisht për lirinë e të drejtat e nëpërkëmbura pa pushim”, - ka përfunduar kreu i PS-së.
29 Shtator 2009