Berisha: “Opozita të kontribuojë në Parlament për proceset integruese të vendit”
Menjëherë pas deklaratës së Ramës ka ardhur reagimi i kryeministrit Berisha, i cili i ka bërë thirrje opozitës që të kthehet në Kuvend dhe të kontribuojë për proceset integruese të vendit. Ai tha se vendi ndodhet në prag të zhvillimeve të rëndësishme përsa u përket proceseve integruese, ndaj dhe opozita duhet të marrë përgjegjësitë e saj. “Buzë zhvillimeve të mëdha për vendin, siç është liberalizimi i vizave dhe statusi i kandidatit, opozita duhet të jetë në lartësinë e idealeve europiane dhe duhet të dëshmojë qartë se është për favorizimin, dhe jo për dëmtimin e këtyre proceseve”, - është shprehur kreu i qeverisë. Përsa i përket procesit zgjedhor, Berisha, duke iu referuar raportit të OSBE/ODIHR-it, u shpreh se këto ishin zgjedhjet më të mira të mbajtura ndonjëherë në Shqipëri. “Përsa u përket zgjedhjeve. Këto janë zgjedhjet e para ku ndërkombëtarët shkruan se u plotësuan angazhimet kryesore të OSBE/ODIHR-it. Vlerësimi i përgjithshëm për zgjedhjet është pozitiv. Në raport shkruhet se nuk pati prova për numërim të parregullt, as dhe manipulim të rezultateve. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë provë ligjore për manipulim. Unë i garantoj opozitës se do të dëgjohet zëri i saj në të gjitha reformat që ne ndërmarrim”, - është shprehur Berisha. Gjatë konferencës për shtyp të mbajtur dje në mbrëmje Berisha komentoi dhe tekstin e Historisë, duke bërë të ditur se ai do të kontrollohet nga Ministria e Arsimit. Berisha konfirmoi se në vitin 2005 qeveria e tij shembi regjimin e kleptokracisë dhe se gjatë katër viteve arriti që me reformat të anëtarësojë vendin në NATO. Berisha u shpreh se është i nevojshëm shkrimi me kujdes i historisë së vendit. Ndërsa Enciklopedinë maqedonase e cilësoi si një akt racizmi ndaj shqiptarëve dhe bëri të ditur se këtë qëndrim ia kishte shprehur presidentit të Maqedonisë, Ivanov, gjatë një takimi të zhvilluar në Nju Jork.
Pjesën më të madhe të fjalimit të Berishës e zuri pikërisht vizita në Nju Jork, ku mori pjesë në Samitin e 64-t të OKB-së. Berisha u shpreh se tri ishin synimet kryesore të kësaj vizite: mbështetja për liberalizimin e vizave, njohja e pavarësisë së Kosovës, si dhe thithja e sa më shumë investitorëve të huaj. Berisha gjithashtu ndau emocionet e takimit të tij me presidentin Barak Obama. “Ishte një rast i jashtëzakonshëm për mua për një takim të shkurtër dhe intensiv me presidentin Obama dhe zonjën e tij. Ishte kënaqësi për mua të merrja vlerësimet e presidentit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për faktin se presidenti kishte miq shqiptarë në Çikago, me cilët kishte punuar. Por koha ishte shumë e shkurtër dhe unë shfrytëzova rastin për t’i ftuar ata që të vizitojnë Shqipërinë. Presidenti Obama e vlerësoi ftesën time dhe u ndava i bindur se Barak Obama do ta vizitojnë Shqipërinë në të ardhmen”, - u shpreh Berisha.
29 Shtator 2009