Maqo Lakrori: “Projekti im hasi në pengesa, por tani mbështetet nga 3714 socialistë”
Kandidati për postin e kryetarit të PS-së, Maqo Lakrori, pas shpalljes së rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve brenda PS-së, u shpreh dje se ndihet i kënaqur që projekti i tij, pas shumë pengesash, tani gëzon mbështetjen e 3714 socialistëve në mbarë vendin. “Përmes këtij njoftimi publik shpreh kënaqësinë time, që edhe pse në një kohë shumë të shkurtër, vetëm 4 javë, edhe pse nën një trysni gjithfarëshe dhe gjithanëshe penguese, projekti “Socialistët e bashkuar” filloi udhën pa kthim prapa dhe sot nuk është më një projekt personal, ashtu si 30 ditë më parë, por ka mbështetjen e shprehur me votë të 3714 anëtarëve PSSH-së. Madje jo vetëm kaq, por ky projekt po gjen çdo ditë e më shumë edhe mbështetjen e mjaft përkrahësve të PS-së dhe progresistëve të tjerë shqiptarë. Unë u drejtohem me mirënjohje të thellë të gjithë atyre që e votuan këtë projekt dhe i ftoj që të punojnë me këmbëngulje brenda radhëve të PSSH-së, me qëllim që kjo platformë politike të njihet më mirë nga cilido dhe mbi bazën e argumenteve të fitojë mbështetjen e shumicës”, - është shprehur kandidati Lakrori, i cili rezultoi humbës në këto zgjedhje.
Zgjedhjet në PS, Rama rikonfirmohet në postin e kryetarit
Mbi 51 mijë anëtarë të Partisë Socialiste kanë votuar pro programit politik të Edi Ramës, duke e rikonfirmuar atë në krye të PS-së. Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Komisionit Zgjedhor të PS-së, Genc Gjonçaj, ka bërë publik rezultatin zyrtar të këtyre zgjedhjeve. Kryetari i Komisionit Zgjedhor bëri të ditur se procesi zgjedhor në PS sipas parimit “një anëtar, një votë” u realizua në përputhje me Kodin e Zgjedhjeve të partisë në një situatë të qetë zgjedhore. “Në respektim të afateve të përcaktuara në Kodin e Zgjedhjeve të Partisë Socialiste, KZP realizoi shpërndarjen në kohë të bazës materiale zgjedhore për çdo komision. Më datë 26 shtator 2009 procesi i votimit u zhvillua normalisht në të gjithë territorin nga ora 08:00 deri në orën 16:00, në drejtimin e komisioneve vendore dhe praninë e vëzhguesve të kandidatëve atje ku u kërkua prezenca e tyre. Procesi i votimit në të gjitha vendvotimet u zhvillua në përputhje me kërkesat e Kodit të Zgjedhjeve në normalitet, i qetë dhe pa asnjë problem”, - është shprehur Gjonçaj. Në bazë të tabelës zyrtare të rezultateve rezultojnë se 82 304 anëtarë të PS-së të regjistruar, ku 55 981 anëtarë, ose 68% prej tyre morën pjesë në procesin zgjedhor. Prej tyre, 55 225, ose 98.6% rezultuan vota të vlefshme dhe vetëm 756, ose 1.4% vota të pavlefshme. Ndarja e votave të vlefshme për kandidatët është: Edi Rama 51 511 vota, ose 93.3% dhe Maqo Lakrori 3 714 vota, ose 6.7%.
29 Shtator 2009