PS: Centrali Bërthamor, çmenduria e Berishës

Partia Socialiste ka reaguar sot për vendim e Këshillit të Ministrave për krijimin e Agjencisë Kombëtare Bërthamore duke theksuar se ky vendim është çmenduria e radhës së Sali Berishës. Deputeti i PS-së Saimir Tahiri në një konferencë për shtyp theksoi se deklaratat entuziaste të Sali Berishës se do e kthejë Shqipërinë në një superfuqi ballkanike për eksportin e energjisë, janë qesharake po të mendosh se po kjo qeveri është e paaftë për të furnizuar qytetarët e vendit të vet 24 orë pa ndërprerje me energji elektrike, e jo më të sjellë ne mendje si kthehet në gazin e botës me paaftësinë për të mbajtur edhe stadiumin e vetëm ndërkombëtar me energji elektrike sa për një ndeshje futbolli.
"Qytetarët shqiptarë e dinë mirë se lajmet blic e sensacionale, siç është edhe ky i centralit bërthamor, janë prodhim i qeverisë për të krijuar një tymnajë marramendëse sa herë që Berishës i duhet të zhvendosë debatin publik nga kriza e demokracisë dhe shtetit ligjor, kriza politike, ekonomike dhe sociale, pra nga krizat e shumëfishta që kanë zënë në kllapi vendin" theksoi Tahiri.
"Partia Socialiste i bën thirrje Kryeministrit që t'i lërë shakatë e frikshme e të bëhet serioz, e përpara se të mendojë seriozisht për një sipërmarrje të tillë, të mos fillojë nga emërimi i militantit të radhës si Drejtor të Agjencisë Kombëtare Bërthamore, por fillimisht ti japë zgjidhje të menjëhershme krizës politike dhe institucionale duke hapur kutitë për transparencë të plotë të zgjedhjeve të 28 Qershorit, e më pas të vijojë me një konsultim publik, të plotë dhe serioz, konsultim që nuk duhet të bëhet tani, por në kohën e duhur. Në të kundërt, do e bëjmë ne dhe shumica dërrmuese e shqiptarëve me referendum popullor" shtoi më tej Tahiri.