E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rezerva Federale, Bernanke rrezikon riemërimin në post

Lëkunden pozitat pas deklarimit kundër të dy senatorëve demokratë

Emërimi i Ben Bernanke për një mandat të dytë në krye të Rezervës Federale, bankës qendrore amerikane, është vënë në diskutim pas dorëheqjes nga mbështetja e tij e dy senatorëve demokratë. Deri para pak kohe, për Bernanken ishte e sigurt rizgjedhja. Situata e vështirë ekonomike në vend, shtimi i papunësisë ka bërë që inati i shumë ligjvënësve dhe i popullit të bjerë ndaj Rezervës Federale. Ajo akuzohet jo vetëm për fajin e mosparashikimit dhe parandalimit të krizës më të rëndë financiare në Shtetet e Bashkuara që nga periudha e Depresionit të Madh, por edhe për mënyrën e padrejtë se si u përpoq që ta zgjidhte krizën, duke favorizuar bankat dhe bizneset e mëdha që të rimëkëmbeshin në kurriz të popullit. Ndërsa dy senatorë janë shprehur hapur kundër rikandidimit, të tjerë në ditët në vijim pritet që të shprehin mendimin e tyre dhe ka mundësi që numrit të senatorëve kundër t’i shtohen edhe të tjerë. “Kreu i ri i Rezervës Federale duhet që të tregojë se është i shkëputur tërësisht nga politikat e dështuara të FED në të shkuarën”, ka deklaruar një nga senatorët demokratë. Sipas tij, ka ardhur koha që FED-i të mendojë edhe për interesat e amerikanëve dhe të biznesit të vogël. Ky ndryshim vjen krejt papritur, ndërsa rizgjedhja e Bernanke dukej e qartë dhe e sigurt dhe është një element me shumë paqartësi për tregjet e aksioneve që janë lëkundur dje edhe nga deklaratat e Obamës kundër bankave të mëdha të “Wall Street”. Sipas shumë analistëve, e pabesueshmja, pra mosvotimi i Bernanke, po bëhet përditë e më shumë një mundësi reale dhe sipas shumë gjasave, Senati mund t’ia rrëzojë kandidaturën Bernankesë. Madje ka nga ata që ia kanë prerë “biletën e ikjes” shefit aktual të Rezervës Federale. Ai ka pasur dhe ka kundër edhe disa republikanë që kanë konfirmuar se do të bëjnë gjithçka për të bllokuar rikonfirmimin e tij, duke detyruar liderët e Senatit që të sigurojnë supermazhorancën me 60 vota të Dhomës me 10 senatorë. Afati i qëndrimit të Bernanket në krye të FED-it skadon më 31 janar dhe vota e pritshme pritet që të bëhet javën e ardhshme. Bernanke është caktuar në krye të Rezervës Federale nga Presidenti Bush dhe në muajin gusht pati edhe mbështetjen e Obamës për një rimandat në krye të bankës. Por kjo mbështetje nga ana e Presidentit nuk i ka penguar disa demokratë që të jenë kundër kandidaturës.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›